Thursday, 5. February 2026
Sport

FFK-ja mban sot Kuvendin Zgjedhor, Agim Ademi pranë mandatit të tretë si kryetar

GS 05/02/2026 2 Min. Lesezeit

Pa paralajmërim për media dhe publikun, sot nga ora 11:00 do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës, me pikën e vetme në rend dite, zgjedhjen e kryetarit të ri.

Kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi, është kandidati i vetëm në garë për t’u rizgjedhur edhe për një mandat të ri katërvjeçar për faktin se mblodhi shumicën e nënshkrimeve, duke i pamundësuar një kandidati tjetër për të hyrë në garë kundër tij.

Ademi është kryetar i FFK-së, që nga viti 2018 dhe ky do të jetë mandati i tij i tretë në krye të Federatës.

Kuvendin e 5 shkurtit e ka kundërshtuar ashpër  Ministria për Kulturë, Rini e Sport përmes ministrit në detyrë Hajrulla Çeku, i cili ka dërguar letër në FFK e më pas edhe në UEFA e FIFA për parregullsitë në shtëpinë e futbollit.

Sipas MKRS-së, FFK ende nuk i ka përmbushur obligimet e dala nga procesi i licencimit të vitit 2023, të dakorduara me UEFA-n, FIFA-n dhe vetë Ministrinë, përfshirë harmonizimin e Statutit me Ligjin për Sport dhe rregulloret përkatëse.
Ministria vuri në pikëpyetje edhe përbërjen dhe legjitimitetin e Kuvendit Zgjedhor, duke rikujtuar se të drejtë vote kanë vetëm anëtarët e licencuar, për cka nuk dihet sa anëtar do të votojnë më 5 shkurt dhe cilët janë të licencuar.

Por përmes një letre të përbashkët të UEFA-së dhe FIFA-së, përgjigja i kthehet njëherë FFK-së, e më pas e njëjta i dërgohet edhe Ministrisë.

Në letrën e nënshkruar nga zyrtarë të lartë të FIFA-së e UEFA-së, konfirmohet se FFK ka harmonizuar statutin e saj në përputhje të plotë me kërkesat e UEFA-s dhe FIFA-s dhe Ligjin për Sportin.

Edhe ky Kuvend, si rëndom, do të mbahet larg syve të mediave e gazetarëve, të cilët nuk kanë pasur mundësinë të raportojnë nga vendi i ngjarjes, derisa nga zyra për media e FFK-së, ende nuk është bërë i ditur vendi por edhe koha se kur mbahet ky Kuvend.

Teilen: