Futbollisti i talentuar nga Presheva, Lutfi Dalipi, ka marrë vendimin që në të ardhmen ta përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka bërë të ditur se sonte e ka pritur 20-vjeçarin në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, transmeton lajmi.net.
Përmes një postimi në Facebook, Ademi ka shprehur kënaqësinë për vendimin e mesfushorit, duke e cilësuar atë si një vlerë të shtuar për të ardhmen e Kombëtares së Kosovës.
“Lutfi Dalipi i thotë ‘Po’ Kosovës me zemër ❤️
Sonte, në aeroportin ‘Adem Jashari’, pata kënaqësinë ta mirëpres mesfushorin e talentuar me origjinë nga Lugina e Preshevës, Lutfi Dalipi, i cili ka vendosur që në të ardhmen ta përfaqësojë me krenari Kombëtaren e Kosovës.
Është ndjenjë e veçantë kur futbollistë të talentuar, që kanë perspektivë të madhe, zgjedhin t’i besojnë projektit tonë dhe të veshin fanellën dardane.
Lutfiu po kalon një sezon shumë të mirë me Vaduzin, ku aktivizohet si i huazuar nga Young Boys, ndërsa vendimi i tij për t’iu bashkuar Kosovës është një vlerë e shtuar për të ardhmen e Kombëtares sonë.
E falënderoj Lutfiun për besimin dhe zgjedhjen e bërë, ndërsa një falënderim i veçantë shkon për prindërit e tij, të cilët e kanë rritur me dashuri dhe krenari për rrënjët e tij dhe Kosovën.
Mirë se vjen në shtëpinë tënde, Lutfi 🙌
Bashkë drejt sukseseve të reja!”, ka shkruar Ademi.
Edhe Federata e Futbollit e Kosovës ka publikuar një video prezantuese për futbollistin, duke e mirëpritur zyrtarisht në familjen dardane.
“Lutfi Dalipi është këtu!
Sonte në aeroportin ‘Adem Jashari’ zbriti Lutfi Dalipi, djaloshi me origjinë nga Presheva që zgjodhi të shkruajë historinë e tij me fanellën e Kosovës!
Rrugëtimi ynë vazhdon, e ardhmja është e ndritur.
Mirë se vjen në shtëpi, Lutfi”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Dalipi po kalon një sezon mjaft të mirë në futbollin zviceran, ku është i huazuar te Vaduz nga Young Boys. Deri më tani, ai ka regjistruar pesë gola dhe nëntë asistime, duke tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij.
Vendimi i tij për të zgjedhur Kosovën vjen pasi më herët kishte qenë në radarët e Shqipërisë, ndërsa kishte pasur edhe mundësinë për të përfaqësuar Zvicrën U21./lajmi.net/