Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një reagimi në faqen e saj zyrtare ka paralajmëruar se do të ankohet në CAS për skandalin që ndodhi mbrëmë me futbollistët rumunë.
Kosova humbi mbrëmë në “Arena Nationala” në Bukuresht nga Rumania me rezultat 2-0, por tifozët filluan gjuhë diskriminuese ndaj Kosovës dhe lojtarëve të saj.
Për këtë ka reaguar FFK, e cila në faqen e saj zyrtare ka shkruar se do të ankohet në CAS për ndeshjen e mbrëmshme.
“Federata e Futbollit të Kosovës dënon ashpër incidentin e rëndë të shkaktuar nga tifozët e kombëtares së Rumanisë, gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024, Rumani-Kosovë, në “Arena Nationala” në Bukuresht”, thuhet fillimisht në këtë deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të FFK-së.
“Tifozët e kombëtares së futbollit të Rumanisë, përmes gjuhës së urrejtjes e dëmtimit të imazhit të vetë kombëtares përmes shprehjeve të tilla dhe sjelljeve jo sportive kanë denigruar ndeshjen e mbrëmshme të futbollit”.
“Për këtë gjë, Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar menjëherë aty për aty, duke kërkuar suspendim të lojës deri në tërheqjen e pankartave dhe slloganëve të urrejtjes gjatë ndeshjes. Kjo kërkesë e FFK-së është miratuar nga delegati i ndeshjes dhe derisa janë tërhequr të gjitha pankartat dhe janë ndalur të gjitha thirrjet urrejtëse kundër Kosovës nuk ka rifilluar ndeshja”.
“Pas incidentit të këtillë, është kërkuar nga delegati i UEFA-s të evidentohen të gjitha shkeljet që kanë rezultuar me vërejtje ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë dhe është kërkuar që të gjitha shkeljet të procesohen te organet përkatëse të UEFA-s”.
Pas këtyre veprimeve FFK i është drejtuar Komisionit Disiplinor të UEFA-s me kërkesën “që të merren masat adekuate në raport me brohoritjet nacionaliste, pankartat dhe gjuhën e urrejtjes të shprehur nga tifozët e kombëtares së Rumanisë”.
“Incidentet e këtilla nuk duhet përsëritur. Futbolli vetëm ndërton ura ndërmjet nesh, nuk duhet shembur ato. Falënderojmë edhe një herë të gjithë ata që kanë dënuar incidentin e djeshëm dhe mbështetjen ndaj futbollit. Përkundër kësaj FFK ka diskutuar dhe ka mbledhur deklarata dhe materiale të incizuara e të fotografuara, të cilat e plotësojnë dosjen e ankesës për dënim të kësaj ngjarje, me kërkesë për rishikimin e të gjitha ndodhive nga kontrollorët, specialistët dhe nga sektori i referimit për vendimet e padrejta”.
Pos ankesave për tifozët, kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka pasur ankesa edhe në referim ku është ankuar me arsyetimin se Kosova është dëmtuar nga veprimet e gjyqtarëve.
“Presidenti Ademi ka telefonuar organet kompetente për këtë rast dhe ka kërkuar të merren masa, duke përmendur edhe rastin e ndeshjes me Zvicrën për mosdhënien e penalltisë, e po ashtu edhe rastin e penalltisë së mundshme me Rumaninë e mosdhënien e kartonit të kuq në rastin e ndërhyrjes ndaj Rrahmanit”.
Krejt në fund të reagimit të FFK-së thuhet se ata tashmë kanë nisur procedurat ligjore ku ankesat e tyre do t’i procedojnë CAS – Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.
“Në këtë drejtim, FFK në kuadër të procedurave ligjore, për të gjitha shkeljet që janë bërë, do të përgatisë edhe komentet e nevojshme dhe do ta dorëzojë padinë në UEFA, si dhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS)”, thuhet në fund të deklaratës.
Kujtojmë së CAS kishte vendosur në favor të Shqipërisë për ndeshjen Serbi – Shqipëri luajtur në tetor të vitit 2015, duke ia dhënë fitoren Shqipërisë me rezultat 0-3.
Fillimisht ndeshja ishte regjistruar si fitore për Serbinë me rezultat 3-0, derisa më vonë për këtë rezultat ishte ankuar Shqipëria dhe në CAS kishte fituar tri pikë për t’u kualifikuar për në Euro 2016 për herë të parë në histori si kombëtare.