Arbitrat grekë të basketbollit, Dimitrios Zacharis dhe Anastasios Kardaris, janë suspenduar nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit apo ndryshe FIBA.
Zacharis e Kardaris janë emra të njohur për basketbollin kosovar.
Në prill të vitit të kaluar Sigal Prishtina kishte bërë akuzë publike se Zacharis e Kardaris ishin joshur për të kurdisur një ndeshje me Trepçën, në të mirë të ekipit mitrovicas.
FBK-ja kishte vendosur që arbitra të huaj të drejtonin ndeshjet e plejofit në Superligën e Kosovës. Zacharis e Kardaris ishin dy prej të huajve që erdhën me këtë qëllim.
Por u larguan papritur dhe pas akuzës së Prishtinës nuk u kthyen më.
FIBA i ka suspenduar dy grekët. Ata nuk kanë të drejtë të referojnë deri më 31 tetor të këtij viti.
Ata janë pezulluar për kryerje të funksionit në bazë të Kodit të Etikës dhe Integritetit. Janë dënuar për “mosraportim”.