Anglia po përgatitet për gjysmëfinalen e shumëpritur të Kupës së Botës ndaj Argjentinës, e cila zhvillohet të mërkurën në mbrëmje, ndërsa FIFA ka bërë një ndryshim të rëndësishëm në sistemin VAR që do të ndikojë te të dyja kombëtaret.
“Tre Luanët” siguruan një vend në gjysmëfinale pas fitores dramatike 2-1 ndaj Norvegjisë në çerekfinale, falë një tjetër paraqitjeje vendimtare të Jude Bellinghamit.
Mesfushori anglez barazoi rezultatin pas golit të Andreas Schjelderup në minutën e 45-të dhe më pas shënoi golin e fitores në minutën e tretë të kohës shtesë, duke e dërguar Anglinë në gjysmëfinalen e katërt të Kupës së Botës në histori.
23-vjeçari ishte edhe një herë protagonisti kryesor në “Hard Rock Stadium” në Miami, por vëmendjen nuk e mori vetëm ylli i Real Madridit.
Ashtu si disa skuadra të tjera gjatë këtij turneu, edhe Anglia u përball me disa vendime të diskutueshme të VAR-it.
Skuadra e Thomas Tuchelit pa t’i anulohej një penallti pas rishikimit me VAR, edhe pse Djed Spence dukej se ishte penguar brenda zonës nga një mbrojtës norvegjez.
Ndërkohë, në ndeshje të tjera, Egjipti shprehu zemërimin e tij për arbitrimin në humbjen dramatike 3-2 ndaj Argjentinës.
Egjiptianëve iu anulua një gol i Mostafa Zikos, që do t’u jepte epërsinë 3-1, pasi arbitrat vlerësuan se Lisandro Martinez ishte faulluar në fillim të aksionit.
Pas asaj humbjeje, Federata Egjiptiane e Futbollit publikoi një deklaratë të ashpër drejtuar FIFA-s, ndërsa vendimet e arbitrave dhe të VAR-it vazhdojnë të jenë objekt kritikash.
Në përpjekje për t’iu përgjigjur kritikave në rritje, FIFA ka vendosur që për gjysmëfinalen mes Anglisë dhe Argjentinës, VAR-i të funksionojë nga vetë stadiumi në Atlanta.
Deri tani, zyrtarët e VAR-it kishin operuar nga një qendër e centralizuar në International Broadcast Centre në Dallas, pavarësisht se ku zhvilloheshin ndeshjet.
Ky është një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën e funksionimit të sistemit të rishikimit me video, ndërsa zyrtarët e vendosur në stadium do të shërbejnë si masë rezervë në rast të problemeve teknike ose të komunikimit.
Amerikani Ismail Elfath do të jetë arbitri kryesor i kësaj gjysmëfinaleje, me Corey Parker dhe Kyle Atkins si ndihmës, ndërsa Maurizio Mariani do të jetë arbitri i katërt.
Interesant është fakti se Lionel Messi nuk ka humbur asnjë ndeshje të drejtuar nga Elfath, por Anglia shpreson t’i japë fund kësaj statistike dhe të sigurojë finalen e parë të Kupës së Botës pas 60 vitesh.
Duke shpjeguar arsyen e zhvendosjes së VAR-it në stadium për fazën përfundimtare të turneut, pronari i FC Dallas dhe anëtari i Komitetit Organizativ të Kupës së Botës të FIFA-s, Dan Hunt, tha: “Ka shumë dramë që zhvillohet në këto ndeshje. Dhe kur vetëm katër arbitra duhet të kontrollojnë gjithçka që ndodh në fushë, kjo është shumë e vështirë, sidomos në një fushë që është shumë më e madhe se ajo e futbollit amerikan. Më vjen mirë që VAR-i do të jetë në stadium. Nuk e di ende si do të funksionojë komunikimi”.
Edhe pse afrimi i VAR-it pranë fushës mund të mos ndryshojë mënyrën se si funksionon teknologjia, zyrtarët do të duhet gjithsesi të marrin vendimet e duhura, diçka që ka shkaktuar shumë polemika gjatë këtij Botërori.
Megjithatë, ky ndryshim shihet si një përpjekje e FIFA-s për t’iu përgjigjur kritikave të shumta dhe për të rritur besimin te standardi i arbitrimit në fazën vendimtare të turneut.