FIFA po shqyrton një rregull revolucionar; çdo ekip duhet të ketë gjithmonë në fushë një lojtar të dalë nga akademia (U-20, ose U-21). Sipas “The Athletic”, ideja është miratuar unanimisht në fazën e konsultimeve paraprake dhe pritet të shkojë për votim në Këshillin e FIFA-s vitin e ardhshëm. Qëllimi është i qartë: mbrojtja e talentit vendas dhe detyrimi i klubeve të investojnë realisht te të rinjtë.
Ndërkohë, në Shqipëri ndodh e kundërta. FSHF ka hequr çdo limit për të huajt. Sot mund të luajnë 11 të huaj njëherazi në një ekip, në çdo kategori, madje edhe në kampionatet e moshave. Një “han pa porta” që nuk stimulon, por shkatërron zinxhirin e zhvillimit të futbollit tonë kombëtar.
Pyetja është e thjeshtë dhe e dhimbshme: pse ekzistojnë akademitë? Pse prindërit paguajnë deri në 100 euro në muaj në to, kur djemtë e tyre nuk kanë asnjë shans real për ekipin e parë? Klubet, duke qenë se akademitë i kanë kthyer në “fasoneri”, vetëm arkëtojnë para nga prindërit, nuk duan t’ia dinë, po FSHF-ja pse i ndjek nga pas në çmendurinë e tyre?
FIFA po kërkon të mbrojë të ardhmen e futbollit, ne po e dekurajojmë në çdo aspekt, po e zhbëjmë. “I rrjepim” financiarisht që fëmijë deri 19 vjeç, pastaj iu themi “thyeni qafën” ku të doni, nuk keni vend në ekipin e parë, sepse marrim të huaj “pa doganë”!!! Me këtë qasje sot për nesër, kur të vijë momenti i së vërtetës nuk do të kemi lojtarë për ekipet kombëtare, as identitet futbolli, asgjë.