FIFA shumë shpejt pritet të miratojë dy rregulla të reja në botën e futbollit, të cilat do të përdoren duke nisur nga Kupa e Botës, që do të mbahet këtë verë.
FIFA ka njoftuar se lojtarët që do të flasin duke mbuluar gojën në fushë do të ndëshkohen me karton të kuq. Kjo masë ndëshkuese synon frenimin e vërejtjeve të papërshtatshme, veçanërisht fyerjeve, sharjeve raciste ose homofobike, të cilat shpesh janë të pamundura për t’u provuar për shkak të gjesteve të tilla fshehëse.
Përveç kësaj, lojtarët që do të largohen nga fusha pa leje, do të përjashtohen gjithashtu me karton të kuq. Ky është një sinjal i fortë nga FIFA për të përforcuar autoritetin e gjyqtarëve, vendimet e të cilëve janë sfiduar gjithnjë e më shumë vitet e fundit. Masa ndëshkuese është hartuar për t’i dhënë fund protestave masive dhe shpërthimeve emocionale që dëmtojnë imazhin e lojës.
Këto rregulla të reja pritet të paraqiten për miratim nga IFAB, i vetmi organ i autorizuar për të ndryshuar ligjet. Kongresi i ardhshëm i FIFA-s, ku do të vendoset për këto rregulla, do të mbahet javën që vjen.