FIFA ka konfirmuar një ndryshim të madh në mënyrën se si tifozët do të ndjekin FIFA World Cup 2026, duke sjellë për herë të parë përmbajtje të drejtpërdrejtë në YouTube.
Në një marrëveshje historike, organizata ka arritur partneritet me platformën globale, duke i hapur rrugë një eksperience më të aksesueshme dhe interaktive për miliona tifozë në mbarë botën. Sipas këtij bashkëpunimi, transmetuesit zyrtarë do të kenë mundësinë të publikojnë pjesë nga ndeshjet drejtpërdrejt në YouTube.
Ajo që e bën këtë marrëveshje veçanërisht të rëndësishme është fakti se për herë të parë në histori, tifozët do të mund të ndjekin falas 10 minutat e para të çdo ndeshjeje të Botërorit në platformë. Ky hap pritet të rrisë ndjeshëm angazhimin dhe të tërheqë një audiencë edhe më të gjerë, sidomos në tregjet ku qasja në transmetime tradicionale është më e kufizuar.
Justin Connolly, kreu global i mediave dhe sporteve në YouTube, theksoi se synimi i platformës është të krijojë një përvojë globale dhe gjithëpërfshirëse për tifozët:
“Ne duam të sjellim një eksperiencë interaktive dhe të fokusuar tek tifozët, duke i afruar ata më shumë se kurrë me lojën.”
Ky partneritet mes FIFA-s dhe YouTube konsiderohet si një hap i madh drejt modernizimit të transmetimeve sportive dhe rritjes së aksesit global, duke i dhënë tifozëve më shumë mundësi për të qenë pjesë e emocionit të Kupës së Botës se kurrë më parë.