FIFA ka dalë me një reagim zyrtar pas polemikave të shumta që pasuan ndeshjen mes Argjentinës dhe Egjiptit në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës 2026, duke mbështetur plotësisht vendimet e ekipit të arbitrimit.
Takimi i zhvilluar në Atlanta përfundoi me një rikthim spektakolar të kampionëve në fuqi. Argjentina përmbysi disavantazhin prej dy golash dhe triumfoi 3-2 falë realizimeve të Cristian Romeros, Lionel Messit dhe Enzo Fernandezit. Megjithatë, rezultati u la në hije nga debatet e forta rreth disa vendimeve të gjyqtarit dhe përdorimit të sistemit VAR.
Pas eliminimit, Federata Egjiptiane e Futbollit reagoi ashpër, duke kërkuar përjashtimin e gjyqtarit dhe ekipit të tij nga vazhdimi i Botërorit. Egjiptianët pretenduan se arbitrat kryen gabime të rënda dhe se refuzuan të rishikonin disa situata kyçe të ndeshjes.
Në qendër të polemikave ishin dy episode vendimtare: anulimi i golit të Mostafa Zikos, pasi VAR konstatoi një faull ndaj Lisandro Martinez në nisje të aksionit, si dhe pretendimi për një penallti ndaj Mohamed Salahut pak çaste para golit të fitores së Enzo Fernandezit në minutën e 93-të.
Për t’i dhënë fund spekulimeve, shefi i arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, mbrojti publikisht punën e gjyqtarëve dhe hodhi poshtë çdo pretendim për favorizim.
“Debatet mbi vendimet e arbitrave janë pjesë e futbollit, por akuzat e pabazuara nuk kanë vend në këtë sport. Integriteti i gjyqtarëve të Kupës së Botës nuk mund të vihet në dyshim”, deklaroi Collina.
Ai theksoi se gjyqtarët e FIFA-s punojnë në mënyrë të pavarur dhe se vendimet e tyre nuk ndikohen nga asnjë faktor i jashtëm.
Duke komentuar rastin e golit të anuluar të Egjiptit, Collina sqaroi se sistemi VAR kontrollon të gjithë fazën sulmuese që i paraprin një goli dhe se ndërhyrja ndaj Lisandro Martinez u vlerësua si faull i qartë.
“Një faull mbetet faull. Nëse arbitri nuk e vëren në moment, VAR ka detyrimin të ndërhyjë dhe ta korrigjojë vendimin”, u shpreh ai.