Në rrjetet sociale u bë shumë virale sfida e vezës më të fortë, postuar nga një tifoz, e cila rastësisht në finale nxori pikërisht Mançester Siti-Inter, madje me zikaltrit që do të ngrinin trofeun në fund, falë “lëvozhgës” së tyre më të fortë.
Por përveç kësaj gjetjeje shumë të veçantë, janë disa paralelizma mes këtij Interit dhe atij fitues të 2010-ës, që duken një ogur i mirë për italianët, përpara se të zbresin mbrëmjen e sotme në stadiumin “Ataturk”, në orën 21:00. Dhe ato nisin nga Murinjo e Inzagi e deri tek arbitrit i sfidës. Ja paralelizmat më pikantë të mbledhur nga media italiane.
– Milito në vitin 2010 u prezantua në stadiumin “Santiago Bernabeu” pasi kishte realizuar 28 gola sezonalë. Ndërsa sivjet, edhe golashënuesi më i mirë i Interit, Lautaro Martinez vjen në këtë finale, pikërisht pasi ka shënuar 28 gola.
– Diego Milito vendoste ndeshjen që luhej më 22 maj me bluzën numër 22 mbi shpatulla. Ndërkohë, sivjet finalja luhet më 10 qershor, pikërisht numri që mban veshur Lautaro Martinez.
– Në 2010-ën Zlatan Ibrahimoviç i jepte lamtumirën Ligës së Kampioneve në gjysmëfinale (atëherë pjesë e Barcelonës). Edhe sivjet, Zlatan Ibrahimoviç i dha lamtumirën ëndrrës “Champions” në gjysmëfinale, si lojtar i Milanit. Dhe koincidenca është se në të dyja rastet, ishte pikërisht Interi ai që e eliminoi.
– 13 vite më parë Interi triumfonte pasi kishte në fushë një futbollist kamerunas (Samuel Etonë). Edhe sivjet, Interi do të kërkojë suksesin në Champions, duke mbështetur te një tjetër kamerunas, portieri Andre Onana.
– Polaku Marciniak do të jetë arbitri i dytë në histori që është përzgjedhur për të gjykuar fillimisht finalen e Botërorit dhe më pas atë të Champions-it. Hera e parë ndodhi pikërisht në 2010-ën, me anglezin Hauard Ueb, pikërisht në finalen e fituar nga Interi.
– Finalja e 2010-ës u luajt në Madrid, pikërisht inicialja e mbiemrit të Murinjos. Ndërsa sivjet luhet në Stamboll (Instambul në italisht), njësoj si inicialja e Inzagit.
– Murinjo në 2010-ën, përpara Champions-it kishte fituar 4 trofe me Interin. Edhe Inzagi, përpara arritjes në finale numëron 4 trofe me zikaltrit.
– Murinjo e luante finalen e 2010- ës në moshën 47-vjeçare, po aq sa edhe Simone Inzagit sivjet.
– Interi i Murinjos shkoi atë vit në finale pas 7 fitores, 3 barazimesh dhe 2 humbjes. E njëjta gjë sivjet edhe me Interin e Inzagit. Madje, çmenduria është se në fazën me eliminim direkt, Interi i Murinjos pësoi 3 gola, por aq sa edhe Onana këtë sezon. Tani, nëse nuk duket një ogur i mirë ky…
PANORAMASPORT.AL