Fisnik Asllani nuk do të luajë në ndeshjen hapëse të edicionit të ri të Bundesligës gjermane për Hoffenheimin.
Lajmi është konfirmuar të premten në konferencën për shtyp nga trajneri Christian Ilzer.
Asllani ishte pranë transferimit te Leipzigu, por marrëveshja u prish në momentet e fundit për shkak të “gjendjes fizike” të Asllanit.
Më pas në garë hyri sërish Dortmundi. Por, ende nuk dihet e ardhmja e sulmuesit 24-vjeçar të Kosovës.
“Fisit i duhet edhe pak kohë për të qenë plotësisht i gatshëm për skuadrën”, ka thënë Ilzer të premten para ndeshjes me Kolnin.
Asllani i nisi me vonesë përgatitjet për edicionin e ri, për shkak të një telashi të vogël në gju.
“Ai gradualisht do të marrë pjesë më shumë në stërvitje”, theksoi Ilzer.
Asllani në sezonin e kaluar i realizoi 11 gola e 10 asistime në Bundesligë dhe në Kupën gjermane.