Sulmuesi i talentuar Fisnik Asllani ka reaguar pas eliminimit të Kosovës nga faza e play-off-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026, duke ndarë emocionet e tij me tifozët.
Asllani ishte një nga lojtarët më të spikatur të Kosovës gjatë këtyre kualifikueseve, duke dhënë kontribut të madh në rrugëtimin historik të ekipit dhe duke realizuar tre gola të rëndësishëm.
Përmes një postimi në Instagram, ai e përshkroi eliminimin jo thjesht si një humbje, por si një ëndërr që u ndal shumë pranë realizimit.
“Nuk është veç një humbje… është një ëndërr që u ndal pak para fundit. E dhamë shpirtin, besuam deri në sekondën e fundit, por fati nuk ishte në anën tonë”, ka shkruar ai.
Sulmuesi kosovar theksoi edhe dhimbjen e madhe që la kjo ndeshje, duke qenë se skuadra ishte shumë afër një momenti historik për vendin.
“Dhimbja është e madhe, sepse e dinim sa afër ishim historisë… sa afër një momenti që do mbetej përgjithmonë”.
Fjalët e tij pasqyrojnë më së miri ndjenjën e një kombëtareje që luftoi deri në fund dhe që për pak ishte pjesë e historisë së madhe të futbollit botëror.