Mançester Siti do të përfitojë një shifër pranë 300 milionë paundëve në rast se do të fitojë tripletën historike këtë sezon.
“Qytetarët” janë në sprintin e fundit për të fituar titullin e Premier Ligës, Ligën e Kampioneve dhe Kupën FA. Ata mund të fitojnë Premier Ligën të dielën nëse mundin Çelsin. Por ata janë edhe në finalen e Champions-it dhe gjithashtu favoritë për të fituar trofeun e Kupës FA, ndërsa në finalen e 3 qershorit do të gjejnë komshinjtë e Junajtidit në “Wembley”.
Siti do të përfitojë një shifër rekord në rast se përsërit suksesin e Junajtidit në vitin 1999. Titulli i tyre i pestë i Premier Ligës në 6 vite do të sillte 164 milionë paund bonuse, ashtu siç ndodhi edhe sezonin e shkuar, ndërsa me triumfin në finalen e kompeticionit më të vjetër futbollistik në botë do të arkëtonin edhe 3.9 milionë paund të tjera.
Suksesi i parë në histori në Ligën e Kampioneve do të ishte një minierë ari për të ardhurat e klubit të kaltër, i cili mund të arkëtojë rreth 117.2 milionë paund, duke përfshirë të gjitha të ardhurat që sjell kompeticioni.
PANORAMASPORT.AL