Friday, 24. April 2026
Sport

Fiton trajneri Gasperini, Friedkin vendosin të largojnë Claudio Ranierin nga Roma

GS 24/04/2026 2 Min. Lesezeit

Pronarët e klubit roman mbyllin polemikat. Ikën “senior advisor”, drejt largimit edhe drejtori sportiv Frederic Massara.

Tani ka përfunduar vërtet. Aventura e Claudio Ranieri si “senior advisor” i Friedkin te Roma është mbyllur. Pronarët e klubit verdhekuq kanë vendosur ta ndërpresin raportin me konsulentin e tyre personal. Ranieri kishte një kontratë deri më 30 qershor 2027, së cilës nuk do t’i shkojë deri në fund.

Friedkin më parë kishin konfirmuar besimin e tyre ndaj Ranierit, por tashmë gjithçka ka ndryshuar. Ka pasur përplasje në distancë mes drejtuesit ekspert dhe trajnerit Gasperini. “E lehtë të flasësh vetëm për Wesley dhe Malen, por të gjitha blerjet janë bërë bashkë me trajnerin. Tre trajnerë na kanë thënë ‘Jo’, prandaj klubi zgjodhi Gasperinin”, – ka thënë më parë Ranieri. Qëndrime që nuk i kanë pëlqyer aspak trajnerit Gasperini, i cili ka replikuar: “Tifozët tanë nuk e meritojnë këtë teatër”.

Ky ishte fërkimi i fundit mes të dyve, Friedkin janë përpjekur ta mbyllin krisjen, por duket se ishte e pamundur që ata të punonin bashkë.

Pas Ranierit, me shumë mundësi do të largohet nga Roma edhe Frederic Massara, drejtori sportiv. Edhe ai nuk ka qenë asnjëherë dakord me trajnerin Gasperini.

Teilen: