Udhëtimi i yjeve të Bajern Mynih në Ibiza për të festuar pa u mbyllur kampionati, bëri që të shpërthenin shumë kritika. Shumëkush e cilësoi të papërshtatshëm vendimin e lojtarëve të Bajernit për të kaluar disa ditë festë, ndërsa nuk ishin dhënë ende verdiktet e fundit të sezonit.
Por fitorja 4-0 ndaj Hofenhajm, bëri që të gjithë të mos kishin argumente ndaj kampionëve të Gjermanisë, të cilët e treguan veten në lartësinë e duhur. Ndaj pas sfidës, vetë lojtarët iu kundërpërgjigjën kritikave që kishin marrë.
“Nuk ishte problem, por sinqerisht nuk e kuptoj, ne kishim tre ditë pushim, jemi të rritur, të gjithë mund të bëjnë çfarë të duan. Nëse dikush është në Ibiza për dy ditë, nuk do të thotë se është më pak profesionist se ai që qëndron në Mynih për tre ditë, shkon vonë për të fjetur dhe pi shumë alkool. Ajo po që mund të jetë më pak profesionale”, tha Xhoshua Kimish.
Ndërsa Tomas Myler ishte edhe më i ashpër në komentin e tij. “Kjo ishte për t’u treguar njerëzve që me dy ditë në Ibiza dhe me një festë tërësisht të justifikuar, mund të fitosh 4-0, 5-0, 6-0. Unë do të dëshiroja që personat e përfshirë dhe mediat… unë i kuptoj idetë e këtij zanati. Nëse do të tregosh me gisht dikë, ne në Gjermani jemi gjithmonë të parët. Kushdo që ka bërë moralistin, është i mirëpritur që të shohë veten në pasqyrë në shtrat dhe të shohë se çfarë ndodh në jetën e tij”, tha veterani i Bajernit me ironinë e zakonshme.
PANORAMASPORT.AL