Vllaznia u është kthyer fitoreve në kampionat me një rezultat të rëndësishëm teksa ka mundur me shifrat 4-1 Partizanin, një rival direkt në renditje.
Megjithatë, shifrat nuk paraqesin plotësisht tablonë e kësaj ndeshje, që u vendos vetëm në minutat shtesë të saj.
Në një ndeshje shumë të luftuar, shkodranët e nisën takimin me vrull, duke krijuar raste para Alban Hoxhës, i cili bëri pritje të njëpasnjëshme për t’u mohuar golin.
Por nga ana tjetër, të kuqtë gjetën rrjetën me goditjen e parë në portë, falë Isgandarli, i cili u dhuroi avantazhin.
Shkodranët tentuan përsëri të kthenin takimin në favorin e tyre dhe falë penalltisë së Balajt, ia dolën të vendosnin baraspeshën që në pjesën e parë.
Në të dytën, edhe pse ata kishin më shumë manovrën nën kontroll, nuk arritën të krijonin po aq rrezikshmëri sa në fraksionin e parë të lojës.
Kjo la të mendohej se ndeshja do të mbyllej me këtë barazim 1-1.
Por erdhën minutat shtesë ku ndodhi gjithçka, pasi fillimisht ishte penalltia e radhës e realizuar nga Balaj për përmbysjen e më pas edhe golat e Hakajt e Bismark me kundërsulm, për të vulosur një sukses të rëndësishëm 4-1 për kuqeblutë.