Real Madrid nuk ka dalë plotësisht i kënaqur nga “El Clasico”, edhe pse një fitore ndaj Barcelonës në fushën e kësaj të fundit të shijon gjithmonë shumë. Madrilenët kanë lënë Katalonjën me probleme për futbollistë që kanë pësuar dëmtime gjatë sfidës dhe do të humbasin për një kohë të gjatë një nga yjet.
Të gjithë mendonin se largimi nga fusha i Ferland Mendi ishte shqetësim i madh. Por në të vërtetë ai rezultoi të kishte vetëm ngarkesë muskulore dhe asgjë tjetër shqetësuese. Nga ana tjetër, Auerelien Çuameni, rezulton të jetë problemi i madh i Ançelotit.
Mesfushori mbylli ndeshjen rregullisht e nuk shfaqi probleme, por klubi sot bëri të ditur se ai ka pësuar frakturë në metarstasin e dytë të këmbës së majtë. Sipas mediave spanjoll, kjo nënkupton se ai do të qëndrojë larg fushave të lojës nga 6 deri në 8 javë, teksa nuk ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
Kjo është një goditje e rëndë për Ançelotin, i cili e sheh Çuamenin si një lojtar shumë të rëndësishëm në rreshtimin e skuadrës së tij, ku është futbollisti i 5 me më shumë minuta në fushën e lojës. Situata mund të kthejë përsëri Kamavinga në rolin e tij natyral, pasi ka luajtur së fundmi më shumë si mbrojtës pikërisht për shkak se i kishte marrë vendin në mesfushë Çuameni.
PANORAMASPORT.AL