Përfaqësuesja e Gjermanisë mori fitore thelbësore në takimin e parë ndaj Italisë. Fakti që ndeshja u mbajt në Milano, ua shton kreditet e suksesit “pancerave”.
Të dy golat e patën zanafillën nga këmbët e Joshua Kimish, protagonist me dy asiste. Krosimet e mesfushorit të Bajernit ndikuan në rezultatin final, kjo edhe në saje të finalizimeve të Klaindienst dhe Goreckës.
Pas ndeshjes foli edhe vete Kimish: “Jemi shumë të lumtur për fitoren. Veçanërisht për mënyrën se si erdhi loja. Pjesa e parë ishte disi e vështirë për ne. Nuk ishim në gjendje të kishim fantazinë e duhur për të thyer ‘muri’ e Italisë. Pjesa e dytë u bë më e lehtë, kjo falë meritës sonë. Krosimet nga jashtë zonës i kemi praktikuar në stërvitje dhe nuk ishin rastësi. Kemi marrë një rezultat vërtetë pozitive në këtë duel. Koha të marrim energjitë dhe të dhurojmë një tjetër paraqitje të klasit botërore të dielën. Kemi edhe 90 minuta të tjera. Kemi fituar një ndeshje, por asgjë nuk ka përfunduar. Ekipi tregoi karakter dhe kjo është e rëndësishme. Të gjithë e dimë se sa e vështirë është të luash në Itali. Unë, Rydiger dhe disa lojtarë të tjera nga kampi ynë i shpëtuam kartonit të verdhë, çka do na pezullonte për takimin e kthimit”, përfundoi Kimish. Nga mediumi i “SofaScore” Joshua u vlerësua me notën 9.8, lojtari më i mirë i ndeshjes, protagonist absolut me dy asiste dhe një paraqitje konstante, karakteristika të një kapiteni të vërtetë.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL