Barcelona ka marrë një tjetër fitore agonike të dielën duke mundur Alaveshin 2-1, në një ndeshje ku ka rrezikuar shumë. Te katalanasit janë shfaqur të njëjtat simptoma si në daljet e fundit, por këtë herë fati ka qenë me ta.
Gjithsesi, gabimet e shumta nga ekipi i tij nuk i kanë shpëtuar trajnerit Ksavi që ka qenë tejet kritik, veçanërisht për 45 minutat e para.
“Ka qenë një pjesë e parë për t’u harruar. Në golin e tyre Gyndo humbi një top që normalisht nuk e humbet kurrë dhe i dha avantazh Aleveshit në tranzicion, që ishte një nga gjërat për të cilat kishim folur. Shoh një situatë paqëndrueshmërie në ekip. Të pësosh gol pas 18 sekondash kjo është e pabesueshme. Nuk mund t’i pranojmë këto gabime. Është e papranueshme. Po i falim shumë kundërshtarëve. Kemi humbur pikë në Majorka, në Granada për të njëjtën arsye. Këto gabime po krijojnë pasiguri te lojtarët që nuk është pozitive”, tha ai. Ksavi më tej ka treguar dhe recetën e përmbysjes së rezultatit në pjesën e dytë.
“Në pushim i thashë lojtarëve të jenë të qetë dhe të fokusoheshin më shumë te loja. Ia bëra të qartë se nëse luanim si duhet mund ta përmbysnim, e ndieja. Bëmë disa lëvizje në formacion dhe në pjesën e dytë luajtëm më mirë dhe morëm frytet. Jam i bindur se do të përmirësohemi më shumë”, tha ai.
PANORAMASPORT.AL