Profesionistë, jashtëtokësorë, por mbi të gjitha, qënie njerëzore. Diçka të tillë shpesh herë e harrojmë kur vëzhgojmë, analizojmë dhe gjykojmë jetën e kampionëve të mëdhenj të këtij sporti, aq më tepër kur bëhet fjalë edhe për njerëz kopertine si Angel Di Maria.
Të zotët, të pasur dhe të famshëm në pafundësi. Por në të njëjtën kohë të brishtë, njerëzorë pikërisht. Madje, ndodh edhe që emocionet të marrin arratinë dhe që sukseset e arritur, sado të mëdhenj të kompensojnë vetëm pjesërisht lodhjet emotive të nënvlerësuara, të injoruara gjithashtu…
Dhe pikërisht lotët e derdhur nga sulmuesi argjentinas, gjatë një interviste për gazetaren Sofia Martinez, në programin “Una Llave a la eternidad”, janë dëshmia e qartë. “El Fideo”, i cili mbylli aventurën e tij te Juventusi, jo në mënyrën që ai dhe tifozët bardhezi prisnin, gjithsesi mund të ndihet i kompletuar nga një Botëror i fituar në prag të festave të fundvitit.
Por në të njëjtën kohë, ai përgatitet për aventurën e tij të dytë në radhët e Benfikës, me të cilën pritet që të firmosë për një tjetër sezon. Dhe përpara kontratës së radhës në Europë, Angel Di Maria nuk nguron që të preket, duke kujtuar vështirësitë e mëdha që ka kaluar, por të fshehura prej tij, në sezonin e fundit. “Shumë thanë se nuk e meritoja të isha, në kombëtare, bën hyrjen 35- vjeçari. – Unë kam një familje, kam prindër të moshuar që vuajnë, që jetojnë në Argjentinë dhe dëgjojnë gjithçka. Të dish që të dashurit e tu po vuajnë për ty, kjo të vret. Shumë herë i kam parë të pikëlluar.
Nëna ime më pyeti. ‘Pse vazhdon të vuash?’. Por fatmirësisht një ditë gjithçka ndryshoi dhe unë arrita t’i dhuroj gëzimin më të bukur, të çoja vendin tonë në majën e botës”. Fitimi i Botërorit në Katar ishte hakmarrja personale e Angel Di Marias. “Faktin që do të isha titullar e mësova vetëm përpara ndeshjes, në fjalimin e trajnerit. Dhe kaq më mjaftojë që brenda vetes time të isha i bindur se do të shënoja. E dija që do të realizojë, por vetëm minutën jo. Madje, edhe për rolin në atë ndeshje, e mësova vetëm kur pashë formacionin në tabelën elektronike.
U ktheva nga Skaloni dhe ai më tha, po do të luash majtas, jo djathtas, sepse sipas trajnerit ishte vendi ku mund t’i shkaktoja më shumë dëme kundërshtarëve. Dhe ai kishte të drejtë! Madje, ajo natë me Francën nuk ishte vetëm nata e Kupës së Botës, por ishte nata që fshiu edhe makthin tim më të madh, finalen e Botërorit të humbur në Brazil, në 2014-ën, kundër Gjermanisë. Vuajta, por ia dola”, përfundoi në lot ish-juventini.
PANORAMASPORT.AL