Janë luajtur takimet e javës së 20-të dhe të fundit të sezonit të rregullt të kampionatit në basketboll për femra. Flamurtari mundi 76-64 Tiranën në “Fahrie Hoti”, duke siguruar njëkohësisht edhe vendin e parë.
Në euforinë e triumfit në Ligën Unike, skuadra vlonjate luajti edhe në këtë sfidë ndaj rivales së saj kryesore për titull. Mikeshat u shkëputën 41-27 në mbyllje të pjesës së parë dhe e ruajtën avantazhin deri në fund.
Thomas me 30 pikë ishte shënuesja më e mirë për Flamurtarin, mbështetur edhe nga Johnson me 21 pikë. Në gjysmëfinale, skuadra vlonjate do të përballet me Teutën e vendit të katërt, ndërsa sfida tjetër është derbi mes Tiranës dhe Partizanit.
Teuta bëri detyrën ndaj Studentit, duke fituar 101-74 në sfidën e luajtur në Durrës. Një formalitet për skuadrën vendase, ku amerikanet Bryant e Scott realizuan nga 25 pikë secila për Teutën, që siguron matematikisht zonën play off.
Fitore për statistikë mbeti ajo e Vllaznisë, që në fushën e saj mundi 63-38 Elbasanin e vendit të fundit. Një sukses që nuk ndryshon asgjë në renditje për të dyja ekipet. Dashja realizoi një “triple double” me 11 pikë, 15 rebound e 10 asist.
Kategoria e Parë-Femra, java e 20-të
Teuta – Studenti, 101-74
Vllaznia – Elbasani, 63-38
Tirana – Flamurtari, 64-76
Partizani (pushim)
Renditja: Flamurtari 31 pikë, Tirana 30 pikë, Partizani 27 pikë, Teuta 22 pikë, Vllaznia 21 pikë, Studenti 18 pikë, Elbasani 16 pikë.
Gjysmëfinale-Play off
Flamurtari – Teuta
Tirana – Partizani