Liga e Serisë A i ka dedikuar një reportazh dhe një speciale skuadrës së Interit për fitoren e titullit kampion. Më së shumti deklaratat e protagonistëve janë pas triumfit në derbi kundër Milanit. Markus Turam ka qenë një nga surprizat e Serisë A të këtij viti dhe ai ka vlerësuar maksimalisht si Lautaron dhe Çalhanoglunë për sezonin fantastik që kanë zhvilluar. Po ashtu Inzagi tregonte emocionet për fitoren e titullit të parë kampion, diçka që i mungonte në palmaresin e tij personal.
MAROTA- “Ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme. Demonstrimi më i bukur është ajo që po bëjnë tifozët në rrebesh dhe në kushte të vështira atmosferike. Meritojnë një duartrokitje të madhe nga ana e të gjithë klubit. Fitorja e titullit kampion është një rezultat i stërmerituar dhe aktori protagonist dhe më i rëndësishëm i këtij grupi është lideri, Simone Inzagi”.
INZAGI- “Si trajner më mungonte një titull kampion. Kisha fituar kaq shumë tituj, por ishte i vetmi që më kishte mbetur në listë. Ishte objektivi im madhor dhe ia dolëm të gjithë së bashku. Nuk kishim siguri që do ta fitonim, por e dinim që duhet ta bënim. Ishim të përqendruar nga fillimi deri në fundin e këtij sezoni dhe ia dolëm. Kanë qenë 3 vite të jashtëzakonshme, me mbrëmje të paharrueshme dhe ky titull sigurisht që do të qëndrojë përgjithmonë. Jam i lumtur për tifozët që edhe këtë herë kanë qëndruar aty në pritje për këtë trofe të rëndësishëm për historinë e klubit. Faleminderit të gjithëve. Ne kemi bërë punën tonë ditë pas dite dhe asgjë nuk është rastësi”.
TURAM- “Për mua Lautaro Martinez është një nga sulmuesit më të mirë në botë. Të gjithë e njohin për atë që bën në fushën e lojës. Ai është një lider i madh, është kapiteni ynë dhe bën diferencën në ndeshjet e mëdha. Jashtë fushës është akoma më i mirë. Është një mik i shtrenjtë dhe një person me të cilin më pëlqen të kaloj kohën. Sakrifikohet gjithmonë për shokët e skuadrës dhe është nga më të rëndësishmit si në kombëtaren e tij ashtu edhe me shokët. Është shumë bujar.
Sa iu përket derbeve, i pari dhe i dyti ishin shumë ndryshe. Në derbin e parë ishin ndeshjet e para me fanellën e Interit dhe njerëzit nuk më njihnin. I dyti ishte i rëndësishëm për peshën që kishte. Të gjithë njerëzit donin ta fitonim titullin në derbi dhe ia dolëm. Ylli i dytë? Ishte një objektiv dhe një ëndërr sepse kur vjen tek Interi kërkon patjetër të fitosh trofe. Unë kam fituar 2 dhe jam shumë krenar për këtë. Çalhanoglu? Ai është një mik i mirë. Vetëm qesh ashtu si unë, i pëlqen të kërcejë. Është një person i jashtëzakonshëm. Në fillim më thanë që Çalha nuk është organizator, por nuk e besoja. Ai është zemra e skuadrës. Na ndihmon shumë. Kur Çalhanoglu është në ditë të mirë, i gjithë Interi është në ditë të mirë”.
PANORAMASPORT.AL