Kombëtarja shqiptare e futbollit ka arkëtuar një pikë nga takimi në udhëtim me Republikën e Çekisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Shqipëria mori një pikë falë barazimit 1:1 me Çekinë në stadiumin “Fortuna Arena” në Pragë, shkruan lajmi.net.
Pas ndeshjes është deklaruar edhe autori i eurogolit të Shqipërisë, Nedim Bajrami që tha se shënoi golin më të bukur në karrierë deri më tani.
“Sapo pashë që Asani fitoi duelin, u fiksova direkt te porta, e godita dhe jam i lumtur që e ndihmova skuadrën. E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë, dhamë shpirtin në fushë, duhet të vazhdojmë me këmbë në tokë, të dielën kemi një finale tjetër. Ne do të japim shpirtin në fushë, shpresoj që shqiptarët ti kemi mbështetje.
“Deri tani është goli më i bukur në karrierën time. Nuk bëmë ndeshjen top, mund të luajmë edhe më mirë, sakrifikuam shumë, luajtëm si skuadër, duhet të vazhdojmë kështu me këmbë në tokë”, u shpreh Bajrami.
Shqipëria me këtë pikë zë vendin e dytë me 7 pikë, një më pak se Çekia lidere.
Kujtojmë se pjesë e Grupit E me Shqipërinë dhe Çekinë janë edhe Polonia, Moldavia dhe Ishujt Faroe./Lajmi.net/