Saturday, 11. April 2026
Futboll

Flick injoron rivalin e madh: Kritikat e Álvaro Arbeloa? Nuk e harxhoj energjinë time për to…

GS 11/04/2026 4 Min. Lesezeit

Hansi Flick, trajneri i Barcelonës, doli në konferencë shtypi para gazetarëve dhe foli “pa dorashka” për gjithçka para derbit ndaj Espanyol. Ndeshjen e sotme do ta luajë me motivim shtesë, duke ditur frenimin e rivalit më të madh, Real madridit, me barazimin 1-1 në shtëpi ndaj Girona.

A është një moment i mirë për rotacione duke menduar për ndeshjen e së martës?
Do ta shohim, sigurisht duhet të kujdesemi për lojtarët dhe të menaxhojmë minutat, si gjithmonë. Kemi shumë cilësi në këtë ekip dhe ata që do të luajnë të shtunën do ta bëjnë në mënyrë fantastike.

A mendoni se do të shërbejë ankesa zyrtare në UEFA për arbitrimin ndaj Atletico Madridit?
Nuk e di çfarë rezultati do të marrim, por për mua dhe për ekipin është mirë që klubi na mbështet në këtë çështje, sepse ishte e padrejtë. Mund të bësh një gabim një herë, por jo dy herë, mbështetja e klubit është shumë e madhe.

A e kuptoni që VAR-i nuk e paralajmëroi arbitrin?
Sigurisht, kështu mendoj, që VAR-i erdhi për të ndihmuar. Në VAR panë diçka që nuk është e saktë dhe duhet ta thërrasin kryesorin dhe t’i thonë ta shohë atë aksion. Kjo është ajo që më mungoi në atë ndeshje. Besoj se ka shumë gjëra që mund t’i bëjmë më mirë. Është e vërtetë që nuk luajtëm ndeshjen tonë më të mirë, bëmë disa gabime, por kjo nuk ishte e mirë dhe në këtë fazë vendosi ndeshjen.

Si është Frenkie de Jong?
Edhe për të vlen këshilla “hap pas hapi”. Hapi i radhës është të shtunën. Do të shohim si ndihet pas stërvitjes dhe pastaj do të vendosim çfarë të bëjmë. Jam shumë i lumtur që po rikthehet, por duhet të presim deri para ndeshjes. Është ndier mirë në stërvitje dhe do të jetë në stol.

A do të pushojë Lamine Yamal në derbi?
Do të shohim si do ta menaxhojmë, për të është gjithmonë mirë ta nisë në formacion. Do të shohim, ende nuk kam vendosur, duhet të presim.

A dëshironi që të rinovojë Robert Lewandowski?
I jam përgjigjur tashmë, përgjigjem gjithmonë njësoj, nuk është momenti për të folur për këtë. Kemi një objektiv të madh dhe të gjithë lojtarët duhet të fokusohen, të japin maksimumin. Nuk është momenti për këtë temë. Sezoni i ardhshëm është i rëndësishëm, por tani nuk është momenti për të folur se kush largohet.

A i jepni përparësi La Liga-s apo Champions-it?
Sigurisht La Liga është arsyeja pse luajmë në Champions, por ëndrra për çdo trajner, lojtar dhe tifoz është të fitojë Champions-in dhe për këtë jemi këtu. Në çdo ndeshje shikon që ekipi është pak më i motivuar në Champions, pra është kompeticioni që duam ta fitojmë. Duhet të bëjmë detyrën tonë në La Liga, por më e rëndësishmja është të fitojmë Champions-in. Ky është objektivi i lojtarëve dhe klubit, për këtë jemi këtu.

Çfarë mendoni për kritikat e vazhdueshme të Arbeloa ndaj Barcelonës?
Asgjë, ka shumë zhurmë rreth e rrotull. Nuk e harxhoj energjinë time për këtë. Është opinioni i tij, unë fokusohem tek ekipi im.

A janë njëlloj “perdeje tymi”?
Nuk më interesojnë këto gjëra, ky është si biznes. Ka shumë zhurmë mes nesh, por kjo është ajo që i them ekipit, duhet të fokusohemi te vetja dhe jo te çfarë bën Real Madridi. Jemi në një pozicion të mirë dhe duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Të mendojmë vetëm për veten tonë.

A mund të jetë titullar Gavi kundër Espanyol?
Është një opsion i mirë për të qenë titullar, do të shohim nëse do të luajë 90 minuta apo jo. Duhet të ecim hap pas hapi, por është gati për të qenë titullar.

A mund të shpërqendrohet ekipi duke menduar për Champions-in?
Kam ndjesi shumë të mira, atmosfera dhe përqendrimi në stërvitje ishin shumë pozitive. I shoh lojtarët shumë të përgatitur dhe të përqendruar.

Teilen: