Gjermania do të lua jë sonte në mbrëmje “finalen” e parë për trajnerin Hansi Flik, aty ku fitorja ka marrë nota jetike në pankinën e teknikut 58- vjeçar. Rezultatet zhgënjyese në muajt e fundit nuk kanë lënë shije pozitive te federata dhe tifozët e “pancerave”, të cilët nuk dëshirojnë të turpërohen sërish në “Euro 2024”, ashtu siç kanë bërë në turnetë pararendës, aq më tepër kur kompeticioni i ardhshëm do të luhet në shtëpinë e tyre. Ditën e djeshme kanë dalën në konferencë për shtyp Hansi Flik dhe kapiteni i ri Ilkai Gyndoan. Flik u ka premtuar tifozëve se do të sjellin tjetër stil loje në vazhdimësi, duke nisur nga dueli me aziatikët.
ÇËSHTJA E KAPITENIT- ”Ka ndryshim në strukturë dhe si staf i trajnerëve vendosëm që Ilkai Gyndoan të mbante shiritin në takimet e radhës, pas mungesë së Nojerit. Kimish do të jetë kapiten i dytë, e rëndësishme është se ata janë të aftë të menaxhojnë pozicione të tilla”, tha i qetë tekniku i kampionëve të 4- fishtë në rangun e Botërorëve.
STILI I LOJËS- ”Kemi marrë leksione të vlefshme nga disfata se si të manovrojmë. Tashmë qasja ka ndryshuar në stilin e lojës dhe filozofinë që kërkojmë të aplikojmë. Jemi të bindur se mund ta kryejmë me sukses presionin e lartë dhe lojën e shpejtë. Gjatë seancave përgatitore ia kemi dalë t’i vendosim në praktikë idetë e reja. Jemi të kënaqur me punën dhe mezi po presim të përballemi ndaj Japonisë e më pas me Francën. I bindur se do ta arrijmë qëllimin, fitore bindëse në të dyja përballjet”, u shpreh ish-trajneri i Bajernit në periudhën 20219-2021.
ROLI I GYNDOANIT- ”Testuam shumë ndryshimet në seancat e fundit dhe në këtë listë bën pjesë edhe Ilkai. Ai do të mbajë rol tjetër krahas sfidave të mëparshme. Absolutisht se do të bëjë diferencën, këtë nuk e vë në diskutim. Do ta shihni në fushë se cila do të jetë zona që do të mbulojë Gyndoan”.
KIMISH SI ANËSOR- ”Cilësitë e Joshuas nuk i vë në diskutim, profesionist i jashtëzakonshëm sa herë i kërkohet të japë kontributin për kombëtaren dhe klubin ku aktivizohet. Detyra ime si trajner përkon me gjetjen e pozicionit ideal që u shkon për shtat interesave të përfaqësueses dhe vlerave që ai zotëron. Fleksibiliteti i 28-vjeçarit na ndihmon për ta zhvendosur në shumë zona dhe po përpiqemi të gjejmë zgjidhjen më adekuate, pavarësisht se e kemi një plan të qartë për të”, tha Flik.
MBROJTJA- ”Tej mase i kënaqur me zhvillimin e Malik Çaos, ai është përshtatur mjaft mirë me ne. Por Zyle do ta nisë si titullar, për këtë nuk kam dyshime. Emrat e tjerë në repartin e prapavijës do t’i mësoni në fushë”.
SITUATA ME NOJERIN- ”Pikësëpari duhet t’i rikthehet formës optimale, pas dëmtimit jo të lehtë. Ecuria e Nojerit do të japë tablo më të qartë. Gjithsesi, nuk po mendoj për këtë aktualisht”, ceku “bundestrajneri” (termi referues ndaj Flikut, pra trajner i shkallës më të lartë, i vendosur nga analistët gjermanë pas tripletës me Bajernin në 2020).
FTESA NDAJ MYLERIT- ”Plani fillestar konsistoi me prezencën e Fylkrugut, por ai pësoi lëndim dhe ne u detyruam të thërrisnim Mylerin, pasi nuk kishim alternativë më të mirë. Shpresoj se eksperienca e 33-vjeçarit do të na vijë në ndihmë”. Këto fraza nga Hansi bënë të kuptosh se reputacioni i Mylerit ka rënë dhe ai nuk merr më nota protagonisti, ndonëse marrëdhënia me trajnerin konsiderohet e ngushtë.
KUNDËRSHTARI – ”Japonia ka ekip interesant dhe na dëmtoi në Botërorin e fundit. Më pëlqen stili i tyre dhe janë përshtatës, pra nuk i qëndrojnë besnik një filozofie të caktuar. Nuk kanë frikë të luajnë kundër më të mirëve, përkundrazi i motivon më tepër. Kështu që pritet të jetë përballje e dyluftuar, ndonëse në letër figuron si test miqësor”, përfundoi Hansi Flik.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL