Përzgjedhësi Franco Foda dhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda janë në konferencën për shtyp para ndeshjes miqësore me Armeninë që zhvillohet të premten mbrëma nga ora 19:00.
Kosova pas ndeshjes me Armeninë luan më 9 qershor në miqësore edhe ndaj Përfaqësueses së Komoreve, po ashtu nga ora 19:00.
Të dyja ndeshjet luhen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Përzgjedhësi Foda ka thënë se lojtarët e rinj janë integruar shumë shpejtë në lojën e skuadrës.
“Ne i kemi vëzhguar lojtarët e rinj para se t’i ftojmë ata. Kanë treguar performancë mjaftë të mirë. Këtë e kanë vërtetuar edhe në seancat e kaluara stërvitore. Dhe se a do të ftohen apo a do të angazhohen në ndeshjen e radhës, mbetet të shihet nesër para lojës.
Qëllimi kryesor i joni është që këto dy ndeshjet t’i fitojmë. Nuk dëshirojmë të eksperimentojmë. Jemi duke u përgatitur mirë për fazën kualifikuese të Botërorit në shtator ndaj Zvicrës dhe Suedisë. Është shumë me rëndësi që në fushë të dalim me lojtarët më të mirë, të cilët i kemi përgatitur dhe do t’i ndjekim parimet tona.”
Mërgim Vojvoda ka folur për dy ndeshjet miqësore dhe mungesën e yjeve te Kosova.
“Ne e kemi për detyrë të vijmë për Kombëtaren. Tash çdo lojtar e ka arsyen e vet. Selektori është këtu për të vendosur për ata lojtarë që janë e nuk janë. Mirëpo, normalisht se unë e kam për detyrë kur të kryhen këto dy lojë, pastaj e kam pushim”
“Tani për këtë vendos selektori se kush do të luajë. Pastaj për ndeshjet në shtator dhe të tjerat që vijnë varet nga forma dhe se si është ekipi. Nuk do të thotë se vjen në qershor kur janë dy miqësore, të jesh startues në shtator. Çdo lojtar e ka rëndësinë e vet dhe selektori vendos për këto gjëra”.