Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, e ka komentuar largimin nga Kombëtarja të kapitenit Amir Rrahmani, i cili akuzoi njerëz rreth Federatës së Futbollit të Kosovës për kërcënime ndaj tij.
“Më ka kontaktuar Amir Rrahmani. Kemi biseduar. Detajet mbesin mes nesh. Kam tentuar t’ia ndryshojë mendjen dhe nuk kam mundur. Ai mori vendimin dhe ne duhet ta pranojmë. I dëshirojmë çdo të mirë në të ardhmen”, tha trajneri gjerman në konferencën për media.
Qendërmbrojtësi i Napolit ka thënë se nuk do të jetë pjesë e Kosovës derisa FFK-ja të drejtohet nga këta drejtues
Ndryshe, menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, ka thënë se vendimi i Amir Rrahmanit për largim nga përfaqësuesja e Kosovës nuk mund të arsyetohet.
“Në emër të FFK-së e falënderoj Amir Rrahmanin për gjithë kontributin. Pavarësisht se sa i papranueshëm është vendimi i tij, kjo nuk e fshin kontributin e tij. Megjithatë, as periudha dhe kontributi nuk e arsyetojnë vendimin e tij. Isha në kontakt me Amirin për kohë të gjatë. Jam munduar të adresojë vërejtjet e tij. I kemi ofruar që të shkojmë në Napoli dhe të flasim. Nuk ishte i gatshëm. Arsyet nuk i di. A ishte i ndikuar nga dikush tjetër, nuk e di. Nuk mund të kushtëzohet me prezencën dhe mosprezencën me ndryshim. Ne e mbyllim diskutimin për rastin e Amirit. I kemi 27 futbollistë që meritojnë vëmendjen tonë”, deklaroi Bajram Shala.