Tuesday, 10. March 2026
Sport

Foda mbledh trajnerët e grupmoshave, kërkon çasje të përbashkët

GS 09/07/2025 3 Min. Lesezeit

Në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës është mbajtur sot një takim pune nga Departamenti Teknik me trajnerët e ekipeve kombëtare të Kosovës, nga të gjitha grupmoshat dhe të dy kategoritë, meshkuj dhe femra. Ky ishte takimi i dytë i këtij formati, i cili synon forcimin e bashkëpunimit profesional dhe shkëmbimin e ideve ndërmjet trajnerëve.

Takimin e hapi Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së,Markus Weidner, i cili uroi mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve dhe theksoi rëndësinë e krijimit të një strukture të qëndrueshme komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet të gjithë trajnerëve të ekipeve kombëtare. Ai theksoi se qëllimi është ndërtimi i një vizioni të përbashkët për të gjitha kombëtaret dhe vazhdimi i punës së përbashkët në një frymë bashkëpunimi.

Pas tij, fjalën e mori përzgjedhësi i Kombëtares A, Franco Foda, i cili prezantoi filozofinë e lojës që ndjek Kombëtarja A dhe elementet kyçe që e karakterizojnë strategjinë e tij. Ai theksoi nevojën për një qasje të unifikuar në të gjitha ekipet kombëtare.

“Mendoj se në të ardhmen duhet t’i kemi idetë e njëjta për ekipet kombëtare dhe të punojmë në ato karakteristika që e identifikojnë Kombëtaren e Kosovës. Po ashtu, rëndësi të veçantë duhet t’u kushtojmë gjeneratave të reja, veçanërisht grupmoshave U10 deri U14, për të identifikuar dhe promovuar talentët në fazat e hershme të zhvillimit të tyre. Këto takime gjithmonë janë të dobishme dhe thelbësore për implementimin e ideve dhe strategjive për programet afatgjata”, tha Foda.

Trajnerët pjesëmarrës e mirëpritën këtë takim, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm drejt një qasjeje më bashkëpunuese.

“Është kënaqësi të jem pjesë e këtij takimi. Ishte shumë me vlerë të dëgjojmë nga trajneri Foda për filozofinë e lojës. Mendoj se kjo filozofi mund të aplikohet edhe në kombëtaret tjera, në mënyrë që të kemi një identitet të qartë të mënyrës se si luan Kosova. Bashkëpunimi i thelluar mes trajnerëve, shpërndarja e ideve dhe informimi për lojtarët tanë do të jenë çelësi i suksesit”, tha Anel Rashkaj, ndihmës-trajner i Kombëtares U19.

Ndërkohë, trajneri i Kombëtares U17, Arbnor Morina, pohoi se takimet me trajnerin Foda nuk janë të reja dhe se njohuritë dhe informacionet që ai transmeton janë gjithmonë të mirëseardhura:

“Që nga ardhja e trajnerit Foda kemi pasur disa takime, ku kemi diskutuar filozofinë e lojës dhe sfidat tona. Është shumë e dobishme që po takohemi e po flasim për çështje me interes të madh për futbollin tonë. Përvoja që Foda sjell nga futbolli perëndimor është një aset i madh për ne. Po njihemi me qasje dhe njohuri të reja, dhe sigurisht do ta informojmë trajnerin edhe ne për sfidat me të cilat përballemi”, tha ai.

Teilen: