Tuesday, 31. March 2026
Sport

Foda nuk ndryshon formacionin me Turqinë

GS 31/03/2026 2 Min. Lesezeit

Përkundër deklaratës se Edon Zhegrova mund të jetë startues te Kosova, selektori Franco Foda nuk pritet ta ndryshojë formacionin për duelin me Turqinë.

Sipas informacioneve, selektori Foda pritet ti përmbahet formacionin të njejtë sikurse kundër Sllovakisë, ndeshje që Kosova javën e shkuar e fitoi 4:3 në Bratislavë.

“Dardanët” do të paraqiten me sistemin e lojës 3-5-2, i cili në mbrojtje shndërrohet në 5-3-2 në finale e “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës 2026 kundër Turqisë.

Në portë, do të jetë Arijanet Muriq ku para tij do të vendoset treshja e mbrojtjes në përbërje Albian Hajdari, Lumbardh Dellova e Kreshnik Hajrizi.

Në krah do të jenë Dion Gallapeni në të majtin dhe Mërgim Vojdova në të djathin, të cilët zakonisht janë të ngarkuar me detyra si në sulm ashtu edhe në mbrojtje.

Mesfusha përbëhet nga Elvis Rexhbeçaj, Veldin Hoxha e Florent Muslija kurse sulmit do t’i prijnë Fisnik Asllani dhe Vedat Muriqi, i cili edhe në këtë ndeshje do ta bartë shiritin e kapitenit në mungesë të Amir Rrahmanit që do të jetë i pranishëm në tribuna për të përkrahur “Dardanët”.

Ndeshja Kosovë – Turqi, luhet sot prej orës 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, i cili do të jetë i stërmbushur.

Fituesi i këtij dueli, do të kualifikohet për Botërorin e këtij viti, ku automatikisht do të jetë pjesë e Grupit D, të cilin e përbëjnë SHBA-ja, Paraguai dhe Australia.

Teilen: