Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur në konferencë për shtypin para dy ndeshjeve të tetorit që Kombëtarja Dardane do të zhvillojë ndaj Sllovenisë, më 10 tetor, në Prishtinë, dhe Suedisë, më 13 tetor, në Göteborg. Ai theksoi rëndësinë e këtyre përballjeve në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026, duke i cilësuar si “sfida të vështira, por të fitueshme” nëse ekipi jep më të mirën në fushë.
“Do të jenë dy ndeshje shumë të forta, por ne kemi treguar se mund të fitojmë edhe kundër ekipeve të mëdha, siç ndodhi me Suedinë,” deklaroi trajneri gjerman. Sipas tij, fakti që ndeshja me Slloveninë luhet në Prishtinë, ku mbështetja e tifozëve është e madhe, përbën një avantazh të rëndësishëm.
Mungesa e Rrahmanit, goditje për Dardanët
Foda konfirmoi se kapiteni Amir Rrahmani do të mungojë në të dy ndeshjet për shkak të një lëndimi të pësuar në stërvitje me Napolin. “Amiri është shumë i rëndësishëm, jo vetëm në fushë por edhe jashtë saj, sepse është lider i vërtetë i ekipit,” tha ai, duke pranuar se mungesa e tij është e vështirë për t’u zëvendësuar. Megjithatë, Foda shtoi se Kosova ka treguar se mund të reagojë edhe në mungesë të lojtarëve kyç: “Në futboll të gjithë mund të zëvendësohen. Kemi lojtarë të gatshëm që do të japin gjithçka për Kosovën.”
Risi në skuadër dhe dilema për formacionin
Trajneri foli edhe për Albian Hajdarin, mbrojtësin e ri që ka vendosur të përfaqësojë Kosovën. “Është lajm i mirë që ka zgjedhur ne. Do të shohim gjatë këtyre ditëve se në çfarë forme është dhe do vendosim nëse do të startojë,” u shpreh Foda.
Në qendër të vëmendjes është edhe Edon Zhegrova, i cili është plotësisht i gatshëm pas kalimit te Juventusi. “Do të vendosim për formacionin pas katër seancave stërvitore, por është opsion i qartë për titullar,” konfirmoi përzgjedhësi.
Në fund, Foda vuri theksin te përgatitja mendore e skuadrës: “Fitorja ndaj Suedisë ishte e madhe, por futbolli nuk jeton me të kaluarën. Duhet të përqendrohemi te Sllovenia dhe të japim maksimumin.”