Thursday, 29. October 2026
Sport

Fofana e fundos Chelsean, Liverpooli triumfon në dramën e penalltive në “Anfield”, siguron çerekfinalen e “Carabao Cup”

GS 29/10/2026 3 Min. Lesezeit

Liverpooli ka siguruar një vend në çerekfinalet e Carabao Cup, pasi triumfoi ndaj Chelseat në një përballje dramatike në “Anfield”, ku fituesi u përcaktua vetëm pas ekzekutimit të penalltive.

Koha e rregullt përfundoi me rezultat 1-1, ndërsa në serinë e penalltive “Reds” triumfuan 6-5, duke i dhënë fund rrugëtimit të londinezëve në këtë garë. Heroi i vendasve ishte portieri Giorgi Mamardashvili, i cili bëri pritje vendimtare, ndërsa Joe Gomez shënoi penalltinë që vulosi kualifikimin, transmeton lajmi.net.

Ndeshja u karakterizua nga rivaliteti i fortë, rastet e shumta dhe emocionet që zgjatën deri në goditjen e fundit nga pika e bardhë.

Për pjesën më të madhe të minutave të para, të dyja skuadrat u treguan të kujdesshme, por fundi i pjesës solli dy gola brenda vetëm tri minutash.

Chelsea kaloi në epërsi në minutën e 40-të, kur Morgan Rogers u tregua i saktë nga pika e bardhë, pas ndërhyrjes së Ryan Gravenberch ndaj Moisés Caicedos brenda zonës.

Përgjigjja e Liverpoolit erdhi shpejt. Vetëm tri minuta më vonë, pas prekjes së topit me dorë nga Wesley Fofana në zonën e rreptësisë, gjyqtari akordoi penallti për vendasit. Cody Gakpo e shndërroi atë në gol, duke vendosur rezultatin 1-1.

Në pjesën e dytë, të dy portierët patën rol të rëndësishëm për skuadrat e tyre. Mike Penders ndali disa goditje të rrezikshme të Liverpoolit, ndërsa Mamardashvili u përgjigj me pritje vendimtare ndaj tentimeve të Chelseat.

Një nga rastet më të mira të londinezëve erdhi nga Marco Palestra, por portieri i Liverpoolit reagoi shkëlqyeshëm, duke mos lejuar që mysafirët të kalonin sërish në epërsi.

Meqë asnjëra skuadër nuk arriti të gjente golin e fitores deri në përfundim të kohës së rregullt, fati i ndeshjes u vendos nga penalltitë.

Seria e penalltive solli një tjetër përballje të fortë, ku gabimet dhe pritjet vendimtare e mbajtën rezultatin të hapur deri në fund.

Për Liverpoolin, Alexis Mac Allister, Alexander Isak, Cody Gakpo, Florian Wirtz dhe Bradley Barcola realizuan nga pika e bardhë, ndërsa Joe Gomez shënoi goditjen vendimtare.

Në anën tjetër, Chelsea pati mundësi ta mbyllte serinë në favorin e vet, por Valentin Barco gaboi, ndërsa Konstantinos Tsimikas nuk arriti ta shfrytëzonte rastin për t’i dhënë Liverpoolit fitoren më herët.

Momentet vendimtare erdhën kur Mamardashvili ndali penalltinë e Emmanuel Emeghas, përpara se Gomez të shënonte për 6-5. Goditja e fundit e Wesley Fofanas përfundoi mbi traversë, duke i dhënë fund shpresave të Chelseat për kualifikim.

Kështu, Liverpooli vazhdon rrugëtimin në Carabao Cup, ndërsa Chelsea eliminohet pas një ndeshjeje ku të dyja skuadrat patën mundësi të kalonin tutje.

Për Liverpoolin, kualifikimi erdhi falë qëndrueshmërisë dhe paraqitjes së Mamardashvilit në momentet vendimtare, ndërsa Chelsea do të ketë arsye të pendohet për mundësitë e humbura në serinë e penalltive./lajmi.net/

Teilen: