Trajneri i ri i Milanit, Paulo Fonseca ka fluturuar drejt Gjermanisë, ku ka mbajtur një takim disa minutësh me Rafael Leaon në qendrën e grumbullimit të Portugalisë.
Tekniku portugez i ka bërë me dije sulmuesit bashkëpatriot, se e sheh si thelbësor në projektin e tij te Milani, teksa të dy kanë shkëmbyer edhe ide mbi mënyrën e lojës së kuqezinjve sezonin e ardhshëm.
Takimi i Fonsecës me Leaon vjen në një moment kur për portugezin kanë shfaqur interes shumë klube, teksa trajneri portugez i ka bërë me dije sulmuesit rëndësinë e tij në ambientin kuqezi.
Nga ana tjetër edhe Leao i ka konfirmuar Fonsecës se ndihet mirë te Milani, me kuqezinjtë që tashmë do të duhet të përqendrojnë punën për të afruar një qendërsulmues.
Sulmuesi portugez ka qenë padyshim nga futbollistët më të rëndësishëm edhe në Milanin e Piolit, rol të cilin duket se ia ka garantuar edhe trajneri i ri.
Megjithatë Fonseca propozon një tjetër ide futbolli, që vështirë se do t’i lejojë Leaos të ketë aq shumë hapësira për shpërthimet e tij, ndaj mbetet të shihet se çfarë do të kërkojë trajneri i ri i kuqezinjve nga sulmuesi.