Sot në 20:45 Milani do të presë Torinon për ndeshjen e parë në kampionat. Paulo Fonseka ndjen emocionet e debutimit si kuqezi, por gjithashtu predikoi qetësi në konferencë për shtyp që paraprin sfidën.
Cilat janë ndjenjat që ju jep ekipi në prag të nisjes së kampionatit?
Pozitive, por që nga dita e parë. Jemi gati të fillojmë me besim të plotë, kemi ambicie të mëdha. Duam t’u tregojmë tifozëve identitetin tonë, nuk ishte e lehtë të arrinim kaq gati pas 5 javësh punë. Unë jam i kënaqur.
Si është radha e Serisë A që do të nisë?
Ka pasur një ndryshim të madh, nuk po them që e nisim nga vendi i parë por pothuajse. Kam besim. Tani na u shtua dhe Fofana për të cilin do të flas pas vizitave mjekësore. Jam i lumtur me ardhjen e tij si të të tjerëve. Loftus-Cheek mund të luajë si “digë” në mesfushë, por edhe pas sulmuesit në një 4-2-3-1.
Si do të jetë ndryshe Milani juaj në krahasim me atë të mëparshëm?
Nuk më pëlqejnë krahasimet dhe nuk flas për detaje taktike. Ata që janë ekspert në taktika e kuptojnë se ka ndryshuar. Thjesht ndryshe, nuk them se jam më i mirë se ai që më ka paraprirë.
Si do ta mbushni hendekun me Interi nga sezoni i kaluar?
Po, duhet të bëjmë ende disa transferime. Me kaq shumë lojtarë nuk është e lehtë të punosh. Interi ka qenë shumë i fortë në dy vitet e fundit. Ka edhe të tjerë që mund të luftojnë si Napoli, Juventus dhe Atalanta. Interi ka të njëjtët lojtarë si vitet e fundit, janë shumë të fortë. Por ne besojmë se mund të luftojmë.
Çfarë vështirësish prisni me Torinon?
Gara e parë është gjithmonë e vështirë. Kanë ndërruar trajner dhe Vanolin e njoh mirë. Torino një organizim të vështirë, janë shumë të zotë. Por ne duam të fitojmë, arrijmë mirë dhe jemi shumë të motivuar, natyrisht, është një garë ndryshe nga ato të zhvilluara deri më tani.
Çfarë i mungon këtij ekipi?
Tani asgjë sepse nuk kemi filluar akoma. Sigurisht, jo gjithçka është pozitive. Duhet kohë për të ndryshuar. Jemi larg perfeksionit, por nuk dua t’u jap avantazhe kundërshtarëve duke u ndalur në defektet tona. Gjithçka është shumë e qartë për mua.
E keni provuar sulmin me 4 lojtarë me Leao, Pulisiç, Morata dhe Çukvueze?
Po, por nuk e di nëse do ta shohim që me Torinon. Çukvueze është mirë, Morata ka luajtur tashmë 45 minuta. Pulisiç është rehat në rolin e tij të ri pas sulmuesit, Leao është gati. Kjo vendosje është një mundësi, siç është të luash në një mënyrë tjetër. Joviç pati një para-sezon të mirë, Loftus-Cik është në formë. Nesër do të shihni ata që janë më të mirë nga të gjitha këndvështrimet
A ka ndonjë gjë që ju ka habitur në këtë përgatitje?
Po, i kam parë lojtarët shumë të hapur. Asimilimi i koncepteve ishte më i shpejtë se sa pritej
A keni folur me Kalulunë dhe Adlinë?
Nuk do të komentojë emra të përveçëm, por kam folur me të gjithë. Kam një organikë plot cilësi, thjesht jemi shumë në të gjitha pozicionet. Disa kanë më pak mundësi për të luajtur krahasuar me të ardhurit e rinj. Gjëra normale. Kam folur tashmë me ata që mund të luajnë më pak.
Si është Pavloviç? Do ta shohim dot titullar me Torinon?
Reijnders dhe Pavloviç nuk janë në kushtet më të mira për të luajtur nga minuta e parë. Prandaj do të jetë e vështirë t’i shohim nga fillimi.
Ndërkohë do të jenë 70 mijë tifozë në “San Siro”…
Me Monzën ishte emocionuese, do të jetë sërish emocionuese sa herë që stadium të jetë plot. Jemi ambiciozë dhe luajmë në një mënyrë që i bën edhe tifozët krenarë. Është e rëndësishme t’i kemi pranë për t’i dhënë gjithmonë kënaqësi. Mbërrita te Milanin në kohën e duhur, përvoja në Romë do të më ndihmojë shumë.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL