Përzgjedhësi italian i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka thënë se forma fizike e Neymarit do të jetë vendimtare për përfshirjen e tij në Kupën e Botës vitin tjetër.
Ancelotti e la jashtë Neymarin nga lista me 23 futbollistë për kualifikimet e Botërorit ndaj Kilit dhe Bolivisë, për shkak të një lëndimi në këmbë.
Më vonë u tha se Neymari u la jashtë për arsye teknike. Ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit, nuk e ka veshur fanellën e “verdhë” që prej tetorit të vitit 2023, kur u lëndua rëndë në gju.
“Ne nuk do ta shohim se si luan Neymari, natyrisht. Të gjithë e dimë talentin e tij. Në futbollin modern, lojtari duhet të jetë në formë të mirë fizike. Nëse është në gjendjen më të mirë, nuk do të ketë problem që të jetë në përfaqësuese. Kam folur me të dhe i kam thënë se duhet të përgatitesh në mënyrën më të mirë për të qenë pjesë e Botërorit”, ka deklaruar Ancelotti për “ESPN Brasil”.
Neymari ka shfaqur formë të lartë qëkur u kthye te klubi i fëmijërisë, Santosi, nga Al Hilali i Arabisë Saudite. Brazili e ka siguruar Kupën e Botës që në vitin tjetër luhet në Kanada, Meksikë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndeshja e radhës e Brazilit do të jetë kundër Koresë së Jugut, në miqësoren që luhet në Seul më 10 tetor.