Shkruhet “inerci” dhe lexohet “presion”, ndërsa të dyja këtij fjalë qëndrojnë mbi shpatullat e Lando Norrisit pas Çmimit të Madh të Meksikës në Formula 1.
Piloti britanik, edhe pse në pamje të parë nuk u prit me shumë entuziazëm nga vendasit, ai u bë protagonist absolut në tokën meksikane, duke shlyer zhgënjimet e javëve të fundit, që nisën me rrëzimin në Zandvort dy muaj më parë.
Atje, në Çmimin e Madh të Holandës, Norris u tradhtua nga makina e tij dhe humbi terren të madh ndaj shokut të skuadrës, Oskar Piastri.
Pas fitores në Hungari, Lando kishte hyrë në pushime me moral të lartë, por u rikthye në pistë përballë makthit më të keq të mundshëm.
Në Holandë, njëvendëshja e la në baltë, dhe siç shpjegoi vetë ai pas triumfit në Meksikë, është pikërisht besimi i rifituar me MekLaren “MCL39” që ka qenë çelësi i suksesit të tij aktual.
Tashmë, të gjitha pritshmëritë dhe presioni janë mbi supet e tij. “Tani ndjej shumë më tepër kontroll mbi makinën, dhe gjithçka varet prej saj. Vitin e kaluar kisha një ndjesi të shkëlqyer me makinë. Këtë vit e pata shumë të vështirë ta kuptoja. Gjatë eventit në Singapor, u ulëm për gjysmë ore dhe u thashë: ‘Djem, kjo është saktësisht makina që nuk dua. Kjo është arsyeja pse nuk po fitojmë më gara dhe nuk do të fitojmë nëse vazhdojmë me një makinë që nuk më jep atë që më duhet’.
Në Meksikë skuadra më doli në krah dhe rezultatet u panë menjëherë. Ka qenë kaq e thjeshtë. Në fillim të sezonit pata edhe dyshime për veten time. Nuk më pëlqen t’ia hedh fajin makinës, sidomos kur me të njëjtën makinë Oskar po fitonte. E fundit që doja ishte të përdorja këtë si justifikim.
Thjesht nuk po e gjeja mënyrën që ta përshtatja makinën me stilin tim. Tani, më në fund, ia dola”, shprehet lideri i ri i kampionatit.
Nga fjalët e Norris mund të kuptohet se kthesa e tij pas Singaporit, dy gara më parë (mes tyre Ostin, ku ai u rendit i dyti pas një dueli të gjatë me Lëklerkun), ka sjellë një ndryshim të qartë drejtimi brenda MekLarenit, që ndoshta ka ndikuar edhe te Piastri. Piloti australian, që kishte fituar në fund të gushtit në Zandvort, pikërisht gara fatale për Landon, prej gjashtë garash nuk ka arritur të qëndrojë përpara shokut të skuadrës. Norris e konfirmon këtë trend dhe nëse vazhdon kështu, titulli duket në duart e tij.
Inerci apo presion? Në çdo rast, zgjedhja e drejtimit të duhur në kthesë është vendimtare. “Mendoj që një garë e mirë nuk do të thotë asgjë, ndërsa dy, tre apo katër radhazi, po”, deklaron Norris.


