Joshja e gjatë nga Toto Volf për ta afruar te Mercedesi nuk pati efekt, pasi me shumë mundësi e ardhmja e Maks Vershtapenit nuk do të jetë te “shigjeta e argjendtë”, por Aston Martin. Pas kësaj zgjedhjeje është gjeniu i projektimeve të njëvendësheve në F1, Adrian Njuei.
Gjithashtu edhe lidhja e ngushtë me markën japoneze Honda, si dhe dëshira për të përballuar një sfidë të madhe me një ekip që nuk ka fituar ende asgjë, por edhe një “mal” me dollarë në lojë. Manjati kanadez Laurence Stroll thuhet se po përgatit këtë transferim të bujshëm, pasi tashmë ka rrëmbyer Njuein nga Red Bull me një ofertë prej 33 milionë dollarësh në sezon. Por, për të financuar afrimin e Maks Vershtapenit tek Aston Martin kanë ndërhyrë edhe financues të tjerë të fuqishëm dhe me buxhet të pakufizuar.
ËNDRRA ARABE – Fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite PIF (Fondi i Investimeve Publike) thuhet se është në prag të marrjes së pronësisë së ekipit Aston Martin F1 nga Stroll. Fondi saudit, i kryesuar nga Princi i Kurorës, Mohamed bin Salman, tashmë zotëron 20 për qind të paketës së aksioneve në Aston Martin Lagonda, kompania e makinave e drejtuar gjithashtu nga Stroll, është sponsori kryesor i ekipit përmes gjigantit të naftës Aramco. Ishte gjithashtu PIF që financoi blerjen e futbollistit Kristiano Ronaldo nga Al Nassr dhe krijimin e Ligës së Golfit Liv me nënshkrimin e kampionit Xhon Rahm, pa përmendur ambiciet për krijimin e një turneu tenisi Masters 1000. Interesi i vendit në Formula 1 është rritur pas marrëveshjes për të pritur Çmimin e Madh të Arabisë Saudite duke filluar nga viti 2021. Qëllimi tani mund të jetë fitimi i kampionatit botëror të pilotëve dhe konstruktorëve me ekipin e tyre dhe të kesh Maks Vershtapen në timon, suksesi do të ishte një garanci.
KRISJA ME RED BULLIN – Sigurisht, tashmë nuk është më sekret që diçka është thyer gjatë vitit të kaluar në mekanizmin perfekt të ndërtuar nga Kristian Horner. Muaj më parë ishte babi i pilotit, Jos Vershtapen, madje kishte kërcënuar hapur largimin pas skandalit që goditi drejtorin e ekipit. “Nëse Horner qëndron, skuadra do të shpërthejë”, ishte shprehur Jos, fjalë që duket se po vërtetohen një vit më vonë. Me largimin e projektuesit Adrian Njuei edhe rënien e drastike të performancës së makinës, ka ardhur reaksioni zinxhir që pritet të dërgojë Maks Vershtapenin në një tjetër ekip, ndërsa Aston Martin është gati për të bërë goditjen e madhe.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL