Me fitoren e shtatë sezonale, Max Verstapen ka bërë një rikuperim të çmendur, duke ngushtuar në 12 pikë diferencën nga kryesuesi Lando Norris.
Piloti i Red Bullit, i cili ndodhej 104 pikë larg kreut pas nëntë garave të para, u shfaq shumë i emocionuar pas suksesit në Katar, duke e komentuar kështu të dielën në Lusail: “Një ditë e pabesueshme. Morëm menjëherë vendimin për të hyrë në ‘pitstop’, një zgjedhje që rezultoi e saktë dhe fituese për ne, dhe humbëse për MekLarenin. Kur u zgjova këtë mëngjes, nuk e prisja që do të mund të fitoja.
Është vërtet e jashtëzakonshme, nuk di si ta përshkruaj ndryshe. Bëmë një garë të shkëlqyer në fund të një fundjave të vështirë për ne, është një fitore me shumë rëndësi. E dija që kishim një avantazh, por duhej të ruanim gomat në një pistë me konsum të lartë dhe ia dolëm.
Tani po, gjithçka është e mundur. Abu Dabi është tashmë në prag. Do të shkojmë atje me një mentalitet pozitiv, nuk kemi asgjë për të humbur. Shpresoj që Red Bulli im të jetë më konkurrues. Do t’i provojmë të gjitha”, deklaroi ndër të tjera piloti i Red Bullit.


