Tuesday, 17. March 2026
Sport

Fortuna Düsseldorfi lufton për ta mbajtur Florent Muslijan

GS 17/03/2026 2 Min. Lesezeit

Forma e mirë e Florent Muslija ka rikthyer entuziazmin te Fortuna Düsseldorf, por e ardhmja e tij mbetet në pikëpyetje. Sipas raportimeve të gazetës gjermane “Bild”, klubi mund ta humbasë sulmuesin në fund të sezonit, për shkak të një klauzole të veçantë në marrëveshjen e huazimit.

Pas dy sezoneve të suksesshme në Bundesliga 2 me SC Paderborn 07, Muslija siguroi një transferim te SC Freiburg. Megjithatë, në Freiburg ai nuk arriti të shpërthejë plotësisht, duke mbetur larg pritshmërive.

Për këtë arsye, në fillim të këtij sezoni, 27-vjeçari u huazua te Düsseldorfi, ku ka rigjetur formën e tij më të mirë. Deri më tani, ai ka realizuar katër gola dhe ka dhënë pesë asistime, duke qenë një nga lojtarët kyç në përpjekjet e skuadrës për t’u larguar nga zona e rrezikut.

Edhe pse marrëveshja e huazimit përfshin një opsion blerjeje, situata nuk është aq e thjeshtë. Sipas “Bild”, kjo klauzolë mund të aktivizohet vetëm nëse Fortuna Düsseldorf siguron ngjitjen në elitën e futbollit gjerman – një objektiv që aktualisht duket i vështirë për t’u arritur.

Kjo do të thotë se klubi rrezikon të humbasë një nga lojtarët më në formë, pavarësisht kontributit të tij të rëndësishëm. Sipas burimeve, shuma e blerjes do të ishte rreth një milion euro – më e ulët se vlera aktuale e tregut të Muslijës, e cila vlerësohet në rreth 1.8 milionë euro.

Pavarësisht kësaj pengese, drejtori sportiv Sven Mislintat nuk ka hequr dorë nga ideja për ta mbajtur lojtarin. Ai thuhet se po punon për të gjetur një mënyrë alternative për transferimin përfundimtar.

Në anën tjetër, edhe vetë Muslija duket i kënaqur me jetën dhe formën që po kalon në Düsseldorf, çka e bën këtë situatë edhe më interesante për t’u ndjekur deri në fund të sezonit.

 

Teilen: