Duhej të ishte mbyllja e denjë e një fushate kualifikuese pa njolla, por Franca nuk arriti të ruajë pathyeshmërinë, pikërisht në ndeshjen e fundit të grupit.
Ndoshta motivimi apo mbingopja, por “gjelat” iu dorëzuan vullnetit grek. Dhe të mendosh që Didie Deshamp kishte zgjedhur më të mirët e mundshëm për të përballuar një sfidë ku luhej më shumë për prestigj, pasi edhe formacioni helen e kishte siguruar play-offin, ashtu si miqtë vendin e tyre të parë. Goli i Muanit në minutën e 42-të u duk sikur do të shtronte një autostradë për francezët, por pjesa e dytë doli krejt jashtë çdo skenari. Baksasetas në minutën e 56-të dhe Ioanidis pesë minuta më pas përmbysin rezultatin. Franca reagon me një zëvendësim të katërfishtë dhe menjëherë vjen goli i barazimit që mban firmën e Fofanasë të asistuar nga Mbape. Më shumë se 30 minutat e mbetura janë një mori sulmesh dhe përpjekjesh, por Franca nuk arrin të marrë pikë të plota dhe as të ruajë rekordin si mbrojtja më e mirë e këtyre kualifikueseve, si pasojë edhe një goli të anuluar nga VAR-i.
FJALA E TRAJNERIT – Edhe Didie Deshamp do të kishte dashur dje një sukses, teksa pas ndeshjes deklaroi: “Do të kishim dashur një mbyllje ndryshe, por Greqia ka vlera dhe e kishim parë edhe në ndeshjen e zhvilluar në fushën tonë. Tani duhet të fillojmë të mendojmë për Europianin, ku do të synojmë patjetër të themi fjalën tonë pavarësisht se konkurrenca do të jetë shumë e lartë dhe mund të ketë të papritura.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL