Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, doli sot para gazetarëve në prag të ndeshjes kundër Suedisë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Tekniku gjerman tha se ekipi është i përgatitur dhe se do të ndjekë të njëjtin stil loje si në përballjen e muajit të kaluar në Prishtinë, me organizim të ngushtë dhe mbrojtje të fortë.
“Suedia është një skuadër e kompletuar, jo vetëm e rrezikshme në kundërsulme, por edhe në mbajtjen e topit. Ne duhet të qëndrojmë kompaktë, të mbrojmë mirë dhe të ushtrojmë presion të vazhdueshëm. Kjo qasje na solli sukses në ‘Fadil Vokrri’, dhe kështu duhet të luajmë edhe nesër,” deklaroi Foda.
Ai konfirmoi se Kosova do të ketë disa mungesa të rëndësishme: Elvis Rexhbecaj dhe Fidan Aliti nuk do të jenë të gatshëm, por sipas tij skuadra ka lojtarë që mund t’i zëvendësojnë denjësisht.
Kosova do të zbresë në fushë të hënën në mbrëmje në orën 20:45, në transfertë ndaj Suedisë, në një ndeshje vendimtare për shpresat e saj drejt Botërorit 2026.