Franco Foda do të jetë komisari teknik i Kosovës të paktën deri në fundin e vitit 2027. Trajneri gjerman ka pranuar ofertën e bërë nga zyrtarët e Federatës, të cilët e kanë vlerësuar për punën e bërë me ekipin, i cili momentalisht është pjesë e fazës play-off të Eliminatoreve Botërori 2026.
59-vjeçari kishte pranuar vetëm pak orë më parë se menaxherët e tij po punonin me drejtuesit e Federatës Kosovare të Futbollit për zgjatjen e akordit. Sipas marrëveshjes mes palëve Foda do të qëndrojë në krye të stolit të Kosovës deri në fundin e vitit 2027-të ndërsa ky afat do të shtyhet automatikisht deri në verën e 2028-ës nëse kombëtarja dardane do të arrijë që të kualifikohet në fazën finale të Europianit.