Interi ka një tjetër çështje për të zgjidhur… Davide Fratezi. Sipas të përditshmes “Corriere Dello Sport”, prezenca e menaxherit të lojtarit në zyrat e Interit nuk ka qenë për çështje merkatoje. Madje vetë menaxheri e ka sqaruar diçka të tillë kur ka përfunduar takimin me drejtuesit e Interit.
Mesfushori italian kërkon më shumë minuta për sezonin e ardhshëm dhe preferon që të kuptojë sa më shpejt hierarkinë që ka në mendje trajneri Inzagi. “Në këtë takim nuk kemi folur për Oristianon, por për Fratezin. Është normale që ai të ketë oferta sepse është një lojtar i fortë dhe me mundësi për t’u përmirësuar. Por nuk ishte çështje e merkatos ajo që folëm”, ka thënë Riso pasi përfundoi takimin. Por për çfarë kanë folur? Për aktivizimin e lojtarit të tij. Fratezi kurrë nuk është ankuar nga fakti që ka luajtur shumë pak në sezonin që lamë pas, përkundrazi. Ka thënë gjithmonë se në këtë sezon ka mësuar shumë gjëra dhe është përmirësuar.
Por ekziston frika që edhe në këtë sezon të ketë të njëjtën situatë dhe të mos ketë një rol protagonisti. Transferimi i Zielinskit e shtyn ish-mesfushorin e Sasuolos që të jetë thjesht alternativë e Mkitarianit ose e Barelës, ashtu siç ndodhi sezonin e lënë pas. Sipas gazetës, Barela dhe Mkitarian janë të dy shumë herë më të avantazhuar për të qenë titullarët e tij, pavarësisht se Fratezi ka dhënë gjithmonë një impakt pozitiv kur futet në fushën e lojës. Kështu që hapësira do të jetë e kufizuar edhe për vitin tjetër për Fratezin.
Kjo do të thotë se ai do të bëjë valixhet gati? Nuk jemi ende në këtë pikë, sepse për lojtarin nuk ka oferta në zyrat e Interit. Por sigurisht që një alarm ka nisur pavarësisht se publikisht menaxheri i futbollistit ka folur për një Fratezi të lumtur te kampionët e Italisë dhe pa ndonjë dëshirë të madhe për të ndryshuar klub gjatë kësaj vere.
PANORAMASPORT.AL