Federata Shqiptare e Futbollit është në mesin e shtatë federative që janë gjobitur nga UEFA për shkak të thirrjeve raciste dhe diskriminuese nga tifozët gjatë ndeshjeve të “Euro 2024”.
FSHF-ja, ka bërë të ditur se ka marrë një gjobë në vlerë prej 30 mijë eurosh nga UEFA shkaku i ngjarjeve në dy prej ndeshjeve të Shqipërisë, ndaj Kroacisë dhe Spanjës.
Mësohet se objektiv i hetimit ishin sjelljet raciste dhe diskriminuese të tifozëve shqiptarë në duelet me Kroacinë dhe Spanjën, të cilat i takuan Grupit B në Evropian.
Pa gjoba nga UEFA nuk kanë shpëtuar as Federata e Kroacisë, Rumanisë, Serbisë, Sllovenisë, Hungarisë dhe Austrisë. Gjobat për këto federata varirojnë prej 20 mijë deri në 50 mijë euro që është më e larta.
Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur edhe më herët nga UEFA për sjellle të tifozëve në kuadër të ndeshjeve të “Euro 2024”.
Vlera totale e paguar deri më tani nga FSHF është 171,125 euro ndërsa shtohet kësaj shifre edhe gjoba prej 30 mijë eurosh e vendosur të mërkurën.