Atalanta ka fituar 4-1 ndaj Dortmundin në Bergamo, në ndeshjen e kthimit për play-offin në Champions League, duke bërë përmbysjen e madhe pas humbjes 2-0 në ndeshjen e parë në “Signal Iduna Park”, dhe duke u kualifikuar për më tej me rezultatin e përgjithshëm 4-3.
Bergamaskët gjetën avantazhin që në minutën e 5-të, ku pas një topi të Nicola Zalewski dhe mos largimit siç duhet nga Ramy Bensebaini, ishte Gianluca Scamacca, që e dërgoi në rrjetë.
Në minutën e 24-të, Atalanta i afrohet golit të dytë por goditja e Zalewski-t, ndalet nga Gregor Kobel. Në minutën e 30-të, rast i mirë për verdhezinjtë me Julian Brandt, por Marco Carnesecchi bën një pritje fantastike.
Në fund të pjesës së parë, ishte Davide Zappacosta që shënoi golin e dytë për Atalantën, me një goditje të fuqishme nga distanca. Pjesa e parë mbyllet këtu, 2-0.
Në minutën e 53-të, Dortmund i afrohet golit, por goditja e Julian Brandt përplaset në shtyllë. Në minutën e 57-të, Atalanta shënoi golin e tretë. Marten de Roon kroson në zonë, Mario Pasalic shënon me kokë.
Në minutën e 75-të, Dortmund gjen më në fund golin, me Karim Adeyemi, i futur vetëm pak minuta më parë si zëvendësues. Pas një aksioni të nisur nga vetë ai dhe pas një depërtimi fantastik brenda në zonë, me një goditje klasi, topi përfundon në rrjetë.
Kur pritej që ekipet t’i drejtoheshin shtesës prej 30 minutash, ndodhi një çmenduri e vërtetë. Një gafë që nis nga portieri Gregor Kobel dhe më pas ndërhyrja e rrezikshme e Bensebaini ndaj Krstovic. Duke qenë se mbrojtësi i Dortmundit e kishte një karton të verdhë, ndëshkohet me kartonin e dytë dhe penallti për Atalantën. Një vendim ky që nuk pritet aspak mirë nga verdhezinjtë dhe shoqërohet me protesta të shumta. Godet Lazar Samardzic, topi përfundon në rrjetë. Atalanta fiton 4-1 dhe siguron biletën për 1/16-at.