Ylli egjiptian, Mohamed Salah, ka bërë një njoftim surprizë duke konfirmuar se do të largohet nga Liverpooli në fund të këtij sezoni.
Edhe pse kontrata e tij aktuale skadon në verën e vitit 2027, sulmuesi ka vendosur të largohet një vit më herët. Në një video emocionale të publikuar në rrjetet sociale, Salah u shfaq i prekur teksa ndau lajmin me tifozët.
“Ka ardhur dita. Kjo është pjesa e parë e lamtumirës sime”, u shpreh ai me lot në sy.
Ai theksoi se nuk e kishte imagjinuar kurrë se sa shumë klubi, qyteti dhe tifozët do të bëheshin pjesë e jetës së tij. Sipas tij, Liverpooli nuk është thjesht një klub futbolli, por përfaqëson histori, pasion dhe shpirt.
Salah falënderoi të gjithë ata që kanë qenë pjesë e klubit gjatë kohës së tij, duke shtuar se nuk ka fjalë të mjaftueshme për të shprehur mirënjohjen.
“Largimi nuk është kurrë i lehtë. Ju më keni dhënë momentet më të bukura të jetës sime. Ky klub gjithmonë do të jetë shtëpia ime. Falë jush, nuk do të jem kurrë vetëm”, përfundoi ai.
Salah iu bashkua Liverpoolit nga Roma në vitin 2017 dhe gjatë qëndrimit të tij ka fituar pothuajse të gjithë trofetë kryesorë, duke shënuar mbi 250 gola dhe duke u bërë një legjendë e klubit.