“Të lodhur.” “Të baltosur nga mediat” dhe “Tani nën presion”. Në Angli titujt dhe komentet kundër kombëtares së Southgate janë të shumtë. Futollistët e Anglisë, morën shumë kritika nga mediat britanike për paraqitjet e tyre në fazën e grupeve, veçanërisht në ndeshjet kundër Danimarkës dhe Sllovenisë pas debutimit të tyre me fitoren 1-0 ndaj Serbisë. Një vorbull mesazhesh negative për zgjedhjet e trajnerit në formacion si dhe për mungesën e golave, veçanërisht nga elementët më karizmatikë dhe cilësorë të skuadrës si Kane dhe mbi të gjitha Bellingham. Numri 10 i Anglisë, si dhe ndër më të mirët e sezonit me Realin e Madridit, është më i kritikuari nga mediat britanike dhe sipas The Guardian ai duhet të ulet në stol për t’i lënë vend Fodenit, i cili është kthyer tashmë në skuadër. The Guardian është treguar shumë e ashpër me zgjedhjet e Southgate dhe për raundin e 16-shes, në ndeshjen kundër Sllovakisë, gazeta nënvizon se “Anglia duhet të ndryshojë, dhe kjo do të thotë të bëjë pa Jude Bellingham”. Me pak fjalë, në Angli, të gjithë, nga tifozët e deri te shtypi, presin diçka më shumë nga kombëtarja e 3 luanëve, duke filluar nga ndeshja e fazës së 16-shes, me Sllovakinë, ku nuk lejohen më gabime, në rast se ata duan të ecin përpara në euro 2024.