Futbolli anglez dhe botëror është në zi. Legjenda Sër Robert Çarlton, i njohur si Bobi Çarlton, është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare .
Lajmin për vdekjen e tij e dha familja, ndërsa menjëherë ka reaguar Premier League e cila shkruan në Twitter:
“Jemi jashtëzakonisht të trishtuar kur dëgjojmë lajmin për ndarjen nga jeta të një prej lojtarëve më të mëdhenj në historinë e futbollit anglez. Ngushëllimet tona për familjen e Sër Bobi dhe për të gjithë Mançester Junajtid”, shkruhet nga kampionati anglez.
Kush është Bobi Çarlton?
Bobi Çarlton u lind në Ashington më 11 tetor 1937, dhe konsiderohet nga shumë njerëz si lojtari më i madh anglez i të gjitha kohërave. I rritur në sistemin e të rinjve të Mançester Junajtid, ai veshi fanellën e “Djajve të Kuq” pothuajse gjatë gjithë karrierës së tij, për gjithsej 758 paraqitje dhe 249 gola. 106 paraqitje për kombëtaren angleze, shoqëruar me 49 gola që e bëjnë atë golashënuesin e tretë më të mirë ndonjëherë me përzgjedhjen e “Tre Luanëve”.
Anglezi i dytë që fiton “Topin e Artë”, i aftë për të fituar tre herë Premier League dhe një herë Kupën Evropiane, padyshim me Mançester Junajtid, Bobi Çarlton ishte ndër protagonistët absolutë të Kupës së Botës të fituar në shtëpi nga Anglia në vitin 1966, të njëjtin vit në të cilin ai u bë futbollisti i dytë anglez i cili fitoi “Topin e Artë”, pas Stenli Methjus.
Pas lamtumirës së tij nga futbolli i luajtur, Çarlton filloi një karrierë si trajner, duke u kthyer te Junajtid në 1984, duke mbajtur një pozicion menaxherial deri në ardhjen e familjes Glezër në fillim të viteve 2010. I sëmurë prej disa vitesh, ai ishte i fundit i lojtarëve të Mançester Junajtid që i mbijetuan rrëzimit të avionit të vitit 1958.
PANORAMASPORT.AL