Mikah Riçards fajëson për humbjen e një bonusi të jashtëzakonshëm 16 vjet më parë këmbët e portierit aktual të Mançester Sitit, Skot Karson. 38-vjeçari, i cili tani luan violinën e tretë në “Etihad”, pas Edersonit pas Stefan Ortegës, ishte pjesë e ekipit fitues të tripletës sezonin e kaluar, duke marrë një medalje të Premier Ligës, Kupës FA dhe Ligës së Kampioneve.
Përpara epokës së tij të lavdishme me Sitin, ish-portieri i Liverpulit dhe Aston Vilës, ishte edhe pjesë e kombëtares angleze, duke luajtur vetëm 4 ndeshje në po kaq vite mes 2007-11. Por ndeshja për të cilin do të mbahet mend ai ishte kualifikuesja kundër Kroacisë në 2007, e cila i la jashtë “Euro 2008” “luanët” e Stiv MekLarenit.
Karson bëri disa gafa në “Wembley” ndërsa ballkanasit fituan 3-2. “Ne nuk kishim Ferdinandin apo Xhon Terrin. Ishte një ekip i përzier”, tregon ish-mbrojtësi i Sitit dhe Aston Vilës për programin “The Rest Is Football”. “Bekham ishte gjithashtu në pankinë. Por ne menduam se mund të merrnim një barazim. Ishte e tmerrshme! Mendoj se vlerësimi im i lojtarëve pas asaj ndeshje, në rastin më të mirë, ishte nota dysh. Por unë fajësoj Skot Karsonin.
Më vjen keq. Ai është te Siti tani, duke marrë të gjitha vlerësimet, duke fituar tripletën, medalje pas medalje. Por ai më kushtoi një milion paund. Jo euro, jo pesos, as franga… Ky ishte bonusi im: të shkoja në Europian, të arrija këtë kuotë paraqitjesh për Anglinë dhe do merrja më shumë para në kontratën time me Sitin”.
PANORAMASPORT.AL