Xhuzepe Marota ka qenë protagonist i “FICTS Festival Sport Movies & TV”, ku ka marrë një çmim për kontributin në zonën e Lombardisë bashkë me Adriano Galianin. Administratori i deleguar zikaltër nuk e fshehu vlerësimin për homologun e tij të cilin e konsideroi pikë referimi në intervistën pas çmimit, ku ka folur edhe për temat që prekin aktualitetin e Interit.
Keni biseduar me Galianin për Kolpanin?
Fakti i të qenit këtu është një krenari e madhe për mua, ndër fituesit është edhe Adriano Galiani i cili për mua si fëmijë ka qenë dhe është një model referimi, një ikonë e sportit. Ai është më i moshuar se unë, kam mësuar shumë gjëra prej tij. Ka një palmares të pasur të cilin nuk dua të them se dua ta barazoj se është e pamundur, por shpresoj t’i afrohem duke pasur gjithmonë përpara modelin e tij. Kolpani? Duke qenë se ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Monzën dhe që brenda skuadrës së saj ka elementë të vlefshëm si për ekipet e klubeve ashtu edhe për kombëtaren tonë, ne kemi marrëdhënie të mira, kështu që nëse ka gjëra konkrete sigurisht që do t’i zhvillojmë më vonë.
Rikthimi i emrit të Samarxhiçit në gazeta?
Nuk e di nëse ka ndodhur, por për momentin ne jemi të fokusuar në të tashmen dhe jo aq shumë në të ardhmen”.
Pas fishkëllimave të Lukakut në Inter-Roma dhe fjalëve të Murinjos, a ndiet pak ajër të rëndë rreth Interit?
Absolutisht jo, ne kemi folur për këtë temë në disa raste dhe është pjesë e së kaluarës sonë. Siç thashë më parë, ne duhet të fokusohemi në të tashmen që është sfiduese dhe duhet ta nderojmë atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Për ne kapitulli i Lukakut është mbyllur.
A është afër rinovimi për Lautaron?
Për të dhe për shumë të tjerë jemi përballë negociatave që çojnë në zgjatjen e bashkëpunimit të tyre me Interin, por mbi të gjitha kjo lind nga një ndjenjë e fortë përkatësie që djemtë kanë treguar ndaj një klubi të rëndësishëm dhe kjo vetëm mund të na përkëdhelë sedrën. Do ta marrim lehtësisht, nuk është një situatë që na krijon probleme, këto janë dinamika që duhet t’i menaxhojmë brenda një sezoni sportiv, por sot duhet të fokusohemi te ndeshja e nesërme (sotme) dhe ndeshja e javës së ardhshme në Ligën e Kampioneve.
Cila është gjëja që i pëlqen më shumë tek Interi një drejtuesi me përvojën tuaj. Dhe çfarë ka për të përmirësuar?
Vetëdija se ky cikël që filloi në dhjetor 2018 me presidencën e Zhangut është një model referimi pozitiv dhe në rritje, i cili na ka dhënë kënaqësi të mëdha. Kemi humbur ndoshta finalen më të rëndësishme për klube, por nga ajo përvojë lindi një ndërgjegjësim më i madh.
Kur do të arrijë Zhang në Itali? A është e mundur që kjo pronësi të kalojë afatin e majit 2024 me “Okatree”?
Familja Zhang e do Interin aq sa Interi duhet të jetë mirënjohës, sepse, të mos harrojmë, që kjo familje ka dhënë qindra mijëra euro financime ndër vite, ndaj kjo është një e dhënë që duhet shkruar gjithmonë. Pastaj Zhang ka rrënjosur konceptin e delegimit, ndaj mund të veprojmë në autonomi të plotë dhe e bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL