Pilot shqiptar, Gantjan Shaqiri, me makinën e tij “Formula 3” arriti të marrë vendin e dytë në Split të Kroacisë, në një garë shumë të luftuar, e vlefshme për kampionatin e FIA-CEZ (Zona e Evropës Qendrore) në disiplinën Hill Climb.
Ai tha për “Ora e fundit” në ABC News se ishte një garë e fortë dhe shumë emocionuese.
“Unë e dhashë mesazhin, shpresoj qe edhe kombëtarja ta japë këtë mesazh kundër Kroacisë. Gara e Splitit është e vlefshme për garën e Evropës Qendrore, në disiplinën malore, është gara e dytë që e zhvilloj. Arritëm garën në vendin e dytë dhe ky është rezultati më i arritshëm që mund të kishim marrë. Na jep shumë premisa dhe shpresojmë ta përsërisim këtë rezultat që pas disa ditësh zhvillohet 22-23 qershor në Krujë”, tha ai.
Ai theksoi se në garë kanë marrë pjesë më shumë se 100 sportistë nga 12 vende të Evropës.
“Kanë qenë 10 ose 12 shtete dhe ishin më shumë se 100 garues dhe ishte garë shumë serioze dhe një kompeticion shumë të fortë.
Piloti shqiptar theksoi se me makinën e tij në Split ka arritur të kapë një shpejtësi deri në 200 kilometra në orë, duke dhuruar spektakël të vërtetë.
“Unë garoj me makinë Formula 3. Shpresojmë që të arrijmë në vendin e parë në garën e FIA CEZ. Në garën e Splitit mund ti kem kaluar 200 km/orë në pistën e drejtë të pistës”, tha ai/ abcnews.al